Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar pas publikimit të një videoje nga komedianët rusë “Vovan & Lexus”, ku kryeministri Albin Kurti ka qenë viktimë e një telefonate mashtruese.
Sipas deklaratës zyrtare, ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri ishte i angazhuar me komunikime të shumta për rezultatin e zgjedhjeve.
“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate”, thuhet në reagim.
Megjithatë, ky rast, sipas ekzekutivit, është një tjetër dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të ndikuar në Kosovë. Sipas tyre, ci gjatë fushatës zgjedhore të 9 shkurtit, mediat pro-ruse si Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) kishin publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe dezinformuese, duke ndërhyrë në procesin demokratik të vendit.
“Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”, thuhet më tej në reagim.