Nga Astrazubi, çifti Morina, mbërritën Malishevë për të përmbushur një obligim që e konsiderojnë të mundimshëm.
Çdo gjashtë muaj, ata duhet të konfirmojnë se janë të gjallë për të vazhduar të gëzojnë pensionet e tyre.
“Ne po harrojmë se kur duhet të lajmërohemi të moshuar jemi”, ka thënë Taf Morina-Pensionist.
“Ne erdhëm me marrë pensionin na thënë se nuk keni qenë për tu lajmëruar, tani erdhëm më u lajmëruar që jemi gjallë për pension”, ka theksuar Xhylije Morina-Pensioniste.
Njëjtë sikur çifti Morina, për qëllimin e njëjtë në këtë qendër erdhi edhe Dalip Halitaj.
Por, ai nuk kishte mbërritur të lajmërohej me kohë, duke mbetur pa e marrë pensionin për muajin shkurt.
“Pak po, për disa që nuk munden me dalë po me doket që është pak maltretim”, ka thënë Dalip Halitaj-Pensionist.
Praktika e paraqitjes së të moshuarve është kundërshtuar fuqishëm, përveç nga pensionistët edhe përfaqësues të tyre e shoqëria në përgjithësi.
Për këtë, Ministria e Financave, në fillim të këtij muaji ka filluar pilotimin e një projekti që përmes ekipeve mobile, të bëhet evidentimi i pensionistëve mbi moshën 85 vjeçare, por kjo aktualisht vlen vetëm për komunat e rajonit të Prishtinës.
Paraqitja e kërkesës, bëhet në formë elektronike, të paktën 7 ditë para datës kur do të duhej të paraqiteshin në departamentin e Pensioneve.
Ministria, nuk ka kthyer përgjigje për televizion në pyetje nëse një projekt i tillë pritet që të shtrihet edhe në komuna të tjera të vendit.