Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama e ka quajtur të padijshme deputeten e LVV-së Jeta Statovci për shkak se kjo e fundit i kishte dhënë merita Gani Jakupit për njohjen e pasaportave të Kosovës nga Spanja.
“Më vjen keq për të, po është tërësisht e padijshme. Kjo më duket është kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, apo jo?”, ka thënë Lame në emisionin “Rreth e rrotull”.
“Po është tërësisht e padijshme dhe e dyta kërkon të manipulojë. E padijshme, sepse jo Gani Jakupi, por çfarëdolloj personaliteti, nuk mund të bëjë asgjë për sa i përket politikës lobuese në Spanjë, ata kanë një qëndrim goxha të prerë në raport me zyrtarët e Kosovës ata nuk ju flasin. Ky është qëndrimi i vërtetë i Spanjës”, ka deklaruar Lama në RTV Dukagjini.
Ajo më tej ka shpjeguar raportet e Kosovës me Spanjën dhe vendimin e kësaj të fundit për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.
“Politika spanjolle vazhdon të jetë e tillë dhe nuk lidhet me ndonjë lobist që e kanë për të justifikuar pagat, është për keqardhje në çfarë niveli bien institucionet e Kosovës. Në politikën e Spanjës karshi njohjes së Kosovës nuk ka mundur ta ndikojë as fuqia numër një në botë që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka informacione që ka pasur kërkesa të fuqishme dhe të drejtpërdrejta për njohje edhe para procesit të shpalljes së pavarësisë, por sidomos edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ishte një moment ku Spanja mund të ndryshonte qëndrimin, u mendua ashtu, por realisht nuk ndodhi ashtu. Spanja ishte nga ato vende që e kundërshtoi fuqishëm”.
“Kështu që, siç e thashë, janë zhvillime të fuqishme të brendshme në Spanjë që kushdo që i njeh sadopak, domethënë e kupton pastaj se sa qesharake janë këto deklarata që vijnë nga zyrtarët e partisë në pushtet. Çështja e pasaportave, e njohjes së pasaportave është një vendim tërësisht teknik. Vetë Ministria e Punëve të Jashtme e kishte sqaruar që s’ka të bëjë fare me njohjen e Kosovës, sigurisht që është lajm i mirë për qytetarët e Kosovës. Po mbi gjitha lajmi i mirë është që mund të udhëtojë në Evropë, tani me Spanjën apo pa Spanjën, pak rëndësi ka”, ka shtuar Lama.
Pas kësaj deklarate ka reaguar në Facebook deputetja Jeta Statovci. Ajo ka akuzuar Lamën se e ka tregtuar votën e saj në kohën saishte deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Mbase shoqja Ambasadore beson se dija d.m.th. sa e shkathtë je me e bo pazar dinjitetin, besimin e përbetimet me votën e deputetes për presidentët. Nuk është se e ka tregtuar keq votën, gjykuar sipas sjelljeve plot krekosje të saj në pozitën e Ambasadores. Por sa keq qe e kanë pas tradhtuar në pazar kur kanë pas shkarkuar dhe e lanë pa kredibilitet e pa pozitë”, ka shkruar Statovci.
“Të shkëlqen përjetësisht dija mbi tregtinë shoqja Ambasadore. Më fal, shoqja ish-Ambasadore”, ka shkruar tutje Statovci.