Iniciativa “Barnatorja” është bashkëpunim mes emisionit “Radar” me Edita Dolin, në Radio Dukagjin bashkë me ‘ushtarët e Radar-it’ dhe MN Farm, që qytetarët të cilët trajtohen në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), gjatë gjysmë ore mund të marrin barërat falas.
Barërat shërbehen për qytetarët të cilët kanë recetën e mjekut me barëra të lëshuar nga QKUK.
Edhe këtë të premte të 30 shtatorit sikurse javën e kaluar në lidhje të drejtpërdrejtë përmes Radio Dukagjini, qytetarët kanë pasur mundësinë të marrin barnat e tyre pa pagesë në barnatoren MN Farm, e cila gjendet në hyrje të QKUK-së në Prishtinë.
Gjatë kësaj jave afro 20 familjarë kanë vizituar barnatoren MN Farm dhe u shërbyen me barëra falas, ndërkaq çmimi që emisioni “Radar” ka ofruar për këto barëra është një shumë prej 1 mijë e 65 euro.
Përveç familjarëve edhe stafi mjekësor ishin ata që vizituan barnatoren dhe kishin nevojë të blinin barëra.
Pronarja e barnatores Majlinda Nushi, është shprehur e kënaqur me punën dhe iniciativën e emisionit “Radar”, duke thënë se na duhen njerëzit vullnetmirë, derisa u shpreh e lumtur që ende ka njerëz me zemër të madhe.
“Akoma ka njerëz që ndihmojnë të tjerët, këtë po e bën Radari në bashkëpunim me ne”, ka thënë ajo.
Gjithashtu edhe qytetarët të cilët ishin pjesë e kësaj iniciative dhe vizituan barnatoren për tu shërbyer me barërat, u shprehen të kënaqur dhe të befasuar për punën e mirë të emisionit “Radar”.
Ndërkaq udhëheqësja e emisionit “Radar”, Edita Doli, ka falënderuar “Meka Hallall Food”, e cila ka dhuruar sot 500 euro për këtë iniciativë.
Njashtu Doli ka shprehur falënderime për barnatoren MN Farm dhe pronaren Majlinda Nushi, duke theksuar se njerëzit që kanë shpirtin dhe vullnetin e mirë po i ndihmojnë këta njerëz.
“Jeni njerëz fantastik”, ka thënë Doli për gjithë ata që po e ndihmojnë këtë iniciativë.
Kujtojmë se, iniciativa “Barnatorja” do të realizohet çdo javë përmes emisionit “Radar” në Radio Dukagjin dhe pritet të zgjasë deri në fund të vitit.