Gjykata Themelore në Gjakovë, më 8 shkurt ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G.K., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për dy vepra penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim unik me burgim të përjetshëm.
“I pandehuri G.K., akuzohet se me datën 11 shkurt të vitit 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, për shkak të konflikteve që kishin mes tyre lidhur me pronën, i akuzuari G.K., me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K., ku me pas e ka djegur trupin e të ndjerit dhe mbetjet i ka hedhur në një vend deri tani të pa identifikuar, me qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas njoftimit nga gjykata i pandehuri ka qenë i dënuar më parë edhe për vrasjen e bashkëshortes nga Gjykata e Lozanës, në Zvicër.
Ndërsa, gjykata nëpërmjet njoftimit ka bërë të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.