Tashmë të gjitha partitë opozitare e kanë marrë kopjen e draftit të Statutit për Asociacionin e Komunave Serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian.
Faton Abdullahu nga PDK-ja, konfirmoi se këtë të enjte edhe partia e tij e ka marrë kopjen e draftit.
“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, tha Abdullahu për Portalin Dukagjini.
Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë në tetor, ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ndërkaq, pas vizitës në tetor, Lajçak po ashtu ishte për vizitë në Kosovë më 7 nëntor, ku takoi përfaqësuesit e partive opozitare lidhur me draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.