Pos Lidhjes Demokratike të kosovës, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu në një konferencë për media ka thënë se është skandaloze që përkundër fakteve që janë bërë të ditura më parë, ambasadori Berishaj është mbrojtur nga krerët e institucioneve.
“I tillë çfarë ishte si rast, ka hapur shumë pyetje dhe dilema, ndërkaq për këtë rast, nga ana e pushtetarëve ka pasur pak e hiç përgjigje dhe ato ishin të çuditshme dhe të paargumentuara. E për rrjedhojë krejt kjo ka ngjallur me të drejtë dhe pandalshëm shumë dyshime. Për ne si Parti Demokratike ka qenë skandaloze se edhe përkundër fakteve që janë sjellë më herët për këtë rast, ambasadori Martin Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë, madje edhe nga Kryeministri edhe nga Presidentja”, tha ai.
Sipas tij, mbrojtja e ambasadorit Berishaj me kaq konsekuencë dhe për një periudhë kaq të gjatë nga Kurti dhe Osmani vazhdon të jetë enigmatike.
“Ne duam të besojmë shumë dhe kërkojmë me ngulm që të jepen përgjigjet e faktuara mbi atë se ku mbetën 600 mijë eurot e këtij personi i cili ka qenë edhe anëtar i VV-së dhe promotor i kësaj partie në Slloveni dhe gjithandej Evropës, në veçanti të Kurtit politikan të cilin me anketa të shpikura nga Sllovenia, nga viti 2013 e këndej, proklamohej si fitues i zgjedhjeve. Firma e tij ka vetëm një të punësuar, konkretisht vetëm Martin Berishajn. Si është e mundur, ky qarkullim me vetëm një njeri? Pse ai nuk e ka deklaruar kompaninë e tij të cilën e ka në Mal të Zi? Pse edhe dy kompani të tjera me seli në Kosovë, Myloja L.L.C. dhe Zaslon Kosova L.L.C. nuk i ka deklaruar në formular”, theksoi ai.
PDK konsideron se kjo qasje e pushtetarëve është mentalitet një pushteti populist që bën paqe të kamufluar me korrupsionin, e në anën tjetër trumbeton shurdhueshëm për luftë kundër tij.
“Marrë parasysh të gjitha këto dhe të tjerat si këto, ne si Parti Demokratike e Kosovës, kërkojmë që ambasadori Berishaj të shkarkohet urgjentisht, pos tjerash edhe me qëllim që të mundësohet hetim i drejtë dhe i papenguar. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët, gjë që e kemi kërkuar ne si PDK. Kemi të drejtë të dyshojmë se do të ketë interferim të pushtetit populist në institucionin e pavarur siç është Prokuroria e Shtetit. Kërkojmë nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet, sidomos tash, kur kemi parasysh zellin populist që është treguar në mbrojtjen e ambasadorit Berishaj nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani”, shtoi ai.
Teksa ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Agjencioni anti-korrupsion të mërkurën e 17 gushtit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj të njëjtit.
Kështu ka njoftuar zëdhënësja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
“Agjensioni Anti-Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj me parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni”, ka shkruar ajo.
“Prandaj, deri në përfundimin e rastit në fjalë, kërkojmë shkarkimin e Abasadorit Martin Berishaj; siç dhe kërkojmë sqarimin e secilit zyrtar publik, që në fillet e shpërthimit të këtij skandali, kishin garantuar dhe marrë në mbrojtje ambasadorin në fjalë”, shtoi Sadriu.
Ajo ka thënë se hapja e hetimeve, por edhe përfshirja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit.
Ndryshe, sipas mediave sllovene, Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku parat e dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.
Më pas, sipas mediumit slloven, thuhet se ato mjete financiare i dërgoheshin një politikani slloven para se të përfundonin në një kompani tjetër në Itali.
Këto transfere parash kanë çuar deri te hetimi i politikanit slloven Golob.
Pagesat nga dega e kompanisë energjetike serbe GEN-I, të cilat ekzekutoheshin në kompaninë e Berishajt, ‘MB Consulting’, bëheshin në emër të konsultës, me përshkrimin se janë pagesa për këshillime profesionale.
Skandali financiar, në të cilin është përfshirë Berishaj, kap shumën e rreth 600 mijë eurove, të cilat ai i tërhiqte nga llogaria e ‘kompanisë së tij fiktive’ dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.
Tërheqja e parave nga ambasadori Berishaj, sipas mediave sllovene, ishte bërë nga dy llogari.
“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.
Berishaj në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje, dhe pas fitores së kësaj të fundit, ai është emëruar ambasador në Zagreb.