Nga 26 në 22 vjet burgim vendosi Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare, Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali”.
Pra, Paneli i Apelit në Hagë ia uli për vetëm katër vjet dënimin “Calit”.
Mbetën edhe 22 të tjera, duke përfshirë edhe kohën sa ka qëndruar në paraburgim.
E më pak se 22 vjet burgim u dënuan njerëzit e “Atletit të Djallit”, Sllobodan Millosheviq, nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë të Holandës.
Me 15 vjet burgim ishte dënuar shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Odjaniq.
Sipas aktgjykimit, ai “u dha ndihmë praktike, inkurajim dhe mbështetje morale atyre anëtarëve të UJ-së për të cilët ai e dinte se synonin të kryenin dëbimin dhe transferimin me forcë të shqiptarëve të Kosovës në një veprim të koordinuar me MPB-në”.
Valdimir Lazareviç, u dënua vetëm me 20 vjet burgim – mbajti vetëm dy të tretat e dënimit- për deportime dhe trajtime të tjera çnjerëzore të shqiptarëve etnikë si komandant i Korpusit të Prishtinës i Ushtrisë Jugosllave në fund të viteve 1990.
Nga 20 vjet, Apeli, Lazareviqit i kishte ulur dënimin në 14 vjet.
Përgjegjësi për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të shkaktuara nga policia serbe në Kosovë, Sreten Lukiq, nuk kishte marrë më shumë se 20 vjet dënim.
Sipas aktakuzës, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë, duke vepruar në drejtimin, me inkurajimin, ose me mbështetjen e Lukiqit dhe të tjerëve “vranë qindra civilë shqiptarë të Kosovës. Këto vrasje ndodhën në mënyrë të përhapur ose sistematike në të gjithë krahinën e Kosova dhe rezultoi me vdekjen e shumë burrave, grave dhe fëmijëve”.
Edhe Lukiq sikur Lazareviq u kthye të jetojë në Serbi, pasi kreu dy të tretat e një dënimi 20-vjeçar.
E me nga 27 vjet burgim Apeli i Tribunalit të Hagës në 18 vjet burgim e dënoi Vlastimir Djordjeviç, dënim ky që ishte për persekutimin dhe dëbimin e civilëve shqiptarë të Kosovës dhe për asistim në fshehjen e kufomave të viktimave të luftës.
Trupi Gjykues i Tribunalit të Hagës e dënoi Zlatko Aleksovskin me 7 vjet burgim, teksa Dhoma e Apelit rishikoi dënimin e Aleksovskit dhe e uli atë në 2 vjet e gjysmë burgim.
Aleksovski, si komandant i burgut të Kaonikut, ndaloi në mënyrë të paligjshme myslimanët boshnjakë, u gjykua për keqtrajtoi të burgosurit nën komandën e tij midis janarit dhe majit 1993; sipas aktgjykimit, keqtrajtimi përfshinte vrasjen, frikësimin, furnizimin e pamjaftueshëm të ushqimit dhe trajtimit mjekësor dhe përdorimin e të burgosurve si mburoja njerëzore për të siguruar dorëzimin e fshatrave myslimanë.
E me 22 vjet burgim ishte dënuar edhe njeriu kryesor i Millosheviqt për Kosovë, Nikola Shainoviq, të cilit Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës i uli dënimin në 18 vjet.
Lista e kriminelëve të Kasapit të Ballkanit, që janë dënuar më me pak vjet sesa “Cali”, nuk përfundon këtu.