Ditën e kishte nisur siç bënte zakonisht, me kafen e mëngjesit.
Por, ai që e shoqëronte sot kishte vendosur t’ia marrë jetën.
Edmond Lajqi ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij mëngjesin e së martës duke e qëlluar me armë, siç mëson televizioni, mbrapa koke.
Lidhur me rastin, nga Prokuroria nuk kanë dhënë detaje rreth formës se si ka ndodhur akti.
“Bëhet fjalë për një vrasje makabre që ka ndodhur në Pejë. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale si dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë. Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore, kemi lëshuar kërkesën për autopsi të së ndjerës”, ka deklaruar Ersan Çavolli, prokuror.
Lajqi kishte një aktakuzë të ngritur më 2021 për “Dhunë në familje”.
Çifti bashkë ka tre fëmijë për të cilët, televizioni jozyrtarisht ka mësuar se ishin brenda në apartament.
Vendngjarjen e ka vizituar edhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
“Ajo çka ne dimë është që prej vitit 2021 nuk kemi pasur raste të raportuara në polici lidhur me dhunë në familje. Tash ne po i analizojmë raportet tona në këtë rast. Në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim, procedura në punë, normalisht se çdokush do vendoset para përgjegjësisë”, ka deklaruar Hoxha.
Bashkëshorti i të ndjerës, nuk ishte i njohur si i qetë as për lagjen.
Banorë të lagjes e fqinj të çiftit kanë treguar se të njëjtit kishin probleme të vazhdueshme mes vete. Ata njohin të dyshuarin si përdorues të rregullt të substancave narkotike dhe alkoolit për të cilat, rehabilitimi i ishte paguar nga e shoqja.
Pavarësisht jetës personale, shqetësimet e ndjera nuk i kishte shfaqur në ambientin ku punonte.
“Është njëra prej 350 punëtorëve, kurrë s’kam pas ankesa për to. S’ka mungu në punë kurrë, gjithmonë ka qenë e hareshme. S’kemi vrejt asnjëherë që ka pas ndonjë problem familjar”, ka deklaruar Sanije Salihi, drejtoreshë e QKMF-së në Pejë
Trupi i të ndjerës është dërguar për obduksion.
Ky është rasti i dytë brenda katër ditësh ku një grua vrahet nga bashkëshorti i saj. Të premten, një 21-vjeçare u vra po nga burri me të cilin ishte në proces divorci, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizajt.