Në “Kopshtin dhe Çerdhen Nina” në Mitrovicë ka ndodhur një rast jo i zakonshëm, ku një fëmijë i moshës 5-vjeçare është sulmuar fizikisht nga edukatorja e kopshtit.
Rastin për sulmin ndaj fëmijës e ka denoncuar në polici vetë nëna e fëmijës. Pas kësaj, e dyshuara është intervistuar në Prokurori.
Më pas e ka konfirmuar dhe e ka bërë publike vetë udhëheqësja e institucionit, Agnesa Shipoli Nika, përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social Facebook, ku thotë se e ka vërtetuar sulmin pas shikimit të kamerave.
Sulmi, siç njofton Nika, ka ndodhur ditën e djeshme nga edukatorja me inicialet A.A, ndaj vogëlushit me inicialet S.I.
Ajo ka theksuar se e ka paraqitur rastin në polici dhe se ka kontaktuar edhe vetë me të dyshuarën, e cila e ka pranuar rastin, duke thënë se ka ndodhur “pa dashje”.
Udhëheqësja e kopshtit ka shprehur keqardhje për një gjë të tillë, ndërsa ka theksuar se “Për sjellje të tillë nuk ka heshtur dhe nuk do të hesht asnjëherë”. Ajo ka bërë të ditur se provat materiale i ka paraqitur para Policisë së Kosovës dhe është e gatshme të bashkëpunojë me organet e rendit.