Efektet e projektligjit gjerman për migracion, vlerësohen si dëme të mëdha për Kosovën

Një nga reformat në qeverinë gjermane e paraqitur së fundi ishte një ligj i ri migracioni që synon të adresojë pengesat kryesore për emigrantët në Gjermani, veçanërisht për ata që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian. Një mundësi e tillë ua hap dyert kosovarëve, por, megjithatë, njohës të çështjeve vlerësojnë se ndonëse interesimi do të jetë i lartë, dëmi më i madh do të jetë për Kosovën

Gjermania ka prezantuar të mërkurën draft reformat për imigracionin, trajnimin e aftësive dhe promovimin e imigracionit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përpjekje kjo e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për të plotësuar mungesën e fuqisë punëtore në ekonominë më të madhe të Evropës. Por si do të ndikojë kjo në fuqinë punëtore të Kosovës?

Në një përgjigje për Dukagjinin, njohësi i ekonomisë Naim Huruglica ka thënë se një interesim i tillë nga Gjermania nuk paraqet diçka të re. Sipas tij, ajo e kishte bërë të qartë prej kohësh.

“Realisht, Gjermania ka vite që ka shfaqur interesim për tregun e punës në Ballkanin Perëndimor ku hyjmë edhe na edhe nuk është vetëm Kosova në rastin konkret e goditur, janë të gjitha shtetet që kemi mesatare më të ulëta sesa në Gjermani dhe me këto lehtësime që po bëhen, me aq sa kam lexu, Gjermania ka nevojë të vazhdueshme për së paku 200 mijë punëtorë në vit ku synon që këta punëtorë t’i gjejë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë. Efekti do të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për vendin. E para, do ta varfërojë vendin. Shumë njerëz do të ikin nga Kosova për të punuar në Gjermani me çka automatikisht do të ndihet mungesa e fuqisë punëtore në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, ai ka theksuar se dëmet do të jenë të paraqitura në mënyrë zinxhirore dhe se mungesa e fuqisë punëtore do të jetë vetëm njëra prej tyre.

Naim Huruglica, ekonomist

Se një reformë e tillë paraqet mundësi për varfërim të vendit pajtohet edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai e konsideron shqetësuese se si migrimi i fuqisë punëtore nuk paraqet një situatë alarmante.

“Tek ne po dihet mungesë e madhe e punëtorëve të kualifikuar. Çka është më e rënda nga ajo që po shoh unë, është që po krijohet lehtësira për ta thithur energjinë punëtore nga Gjermania e Zvicra dhe vende të tjera. Dhe më e rënda është që pronarët e kompanive po edhe shteti jonë nuk është duke e marrë alaramante këtë që ka shumë kompani që kapaciteti i tyre nuk është njëqind për qind duke punuar, por ka rënë në 50 për qind mungesë të fuqisë punëtore. Ne kemi ende fuqi punëtore të pakualifikuar me një numër bajagi solid, po megjithatë në shumicën e kompanive po mungojnë punëtorët e kualifikuar. Është një dëm i madh për Kosovën por edhe për kompanitë, sepse për të kualifikuar një punëtor dhe ta marrë dikush tjetër të gatshëm…është një dëm i madh për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Çfarë masash do të duhej të ndërmerrte Qeveria për parandalimin e imigrimit të lartë?

Ekonomisti Huruglica mendon se do të ishte e rrugës që për fuqinë punëtore të Kosovës dhënë Gjermanisë, Kosova të përfitonte kompensim.

“Është problem të jetë një zgjidhje e vetme, por ajo çka unë mendoj që do të ishte efikase dhe e drejtë për Qeverinë e Kosovës është që kërkoj nga qeveria gjermane që në një mënyrë ose tjetër ta rrisë kontributin e tyre në përmirësimin e infrastrukturës dhe investimeve të saj në Kosovë, sepse imagjino tash shteti i Kosovës shkollon një person deri në moshën 18 vjeçare-20 vjeçare falas…dhe vjen shteti gjerman e merr atë pa i kushtu asnjë cent për atë person”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, Huruglica ka ritheksuar se gjithçka do të ketë efekte zinxhiriore, për të cilat koston do ta paguajë Kosova.

Nga ana tjetër, kryetari Azemi ka deklaruar se një mosintervenim nga institucionet është për të ardhur keq, e sidomos, me pagën e ulët nën mesatare akoma evidente në vend.

“Mosintervenimi i shtetit tonë është për çdo keqardhje. Vetë fakti që sot kemi punëtorë që paguhet me 200 euro edhe nga institucionet private, edhe nga ato shtetërore, bën me dije dhe unë fatkeqësisht e kam thënë nga mllefi që këta punëtorë duhet ta marrin veten në dorë…Realisht është e hidhur, por realitet”, ka deklaruar ai.

Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat

Tutje, Azemi ka thënë se Sindikata e tij ka bërë kërkesë te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati që të diskutohet lidhur me çështjen e pagave, por, sipas Azemit, Kosova mbetet vendi me pagën më të vogël në rajon.

“Karta e mundësive”

Numri i vendeve të lira të punës në vitin 2022 ishte në një nivel rekord prej afër 2 milionësh, sipas qeverisë gjermane.

Një nga reformat është një ligj i ri imigracioni që synon të adresojë pengesat kryesore për emigrantët në Gjermani, veçanërisht për ata që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian.

“Me këtë, ne po hedhim themelet për një fillim të ri në politikën e migracionit,” shkroi në Twitter, ministri i Financave, Christian Lindner, pasi kabineti miratoi reformat. Kushdo që mund të kontribuojë në suksesin ekonomik të vendit si punëtor i kualifikuar është i mirëpritur.

Projektligji i parë thotë se reforma mund të rrisë numrin e punëtorëve nga vendet jashtë BE-së me 60 mijë njerëz në vit.

“Nëse njerëzit sjellin përvojë profesionale ose potencial personal me vete, ne do t’u bëjmë të mundur që ata të fitojnë një terren në tregun tonë të punës,” tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Ajo u ofron punëtorëve të huaj tri rrugë për të hyrë në vend. E para kërkon një diplomë profesionale ose universitare të njohur në Gjermani dhe një kontratë pune.

E dyta kërkon të paktën dy vjet përvojë pune në një sektor përkatës dhe një diplomë ose formim profesional.

E treta është një “kartë mundësie” e re për individët që nuk kanë një ofertë pune, por kanë potencial për të gjetur punë. Karta e mundësive ndjek një sistem të bazuar në pikë që merr parasysh kualifikimet, aftësitë gjuhësore, përvojën profesionale, lidhjen me Gjermaninë dhe moshën.

Nga ana tjetër, duke u bazuar në informatat nga Germany-Visa.org, Gjermania është një vend ku shumë njerëz duan të jetojnë, punojnë apo studiojnë, rrjedhimisht kërkesa për shtetësi gjermane është e lartë. Gjermania është një vend plot me procedura burokratike dhe burokraci, kështu që natyrshëm ligji i shtetësisë është jashtëzakonisht i ndërlikuar.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika