Të dielën e 14 gushtit është raportuar për zjarr në një kishë pranë kryeqytetit të Egjiptit, Kajros, ku 41 persona kishin mbetur të vdekur si pasojë e flakëve.
Ndërsa 14 të tjerë është raportuar të jenë plagosur.
Në kohën e shpërthimit në kishën ‘Abu Sifin’ në lagjen Imbaba, kanë qenë të pranishëm mbi 5 mijë besimtarë të cilët ishin mbledhur për meshë.
Zjarri i shkaktuar kishte bllokuar hyrjen e kishës, kështu duke shkaktuar një rrëmujë.
Pjesa më e madhe e të vdekurve është raportuar të jenë fëmijë.
Ministria e Brendshme ka thënë se ka pranuar një raport për zjarrin në orën 9 të mëngjesit me kohën lokale duke shtuar se zjarri ka shpërthyer në një kondicioner në katin e dytë të ndërtesës.
Ndërkaq, Presidenti Abdel Fattah el-Sissi ka shprehur ngushëllimet e tij për vitkimat përmes një telefonate me Papan e krishterë koptik Tawadros II.
Ndërsa, përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se po përcjell nga afër ngjarjen, dhe ka kërkuar nga institucionet të marrin masat e nevojshme, raporton Sky News.
“Po ndjek nga afër zhvillimet e aksidentit tragjik. U drejtova të gjitha agjencitë dhe institucionet shtetërore që të marrin të gjitha masat e nevojshme, dhe menjëherë të përballen me këtë aksident dhe pasojat e tij”, ka shkruar Fattah el-Sissi.
Zjarri i së dielës së 14 gushtit është një nga tragjeditë më të rënda të zjarrit në vitet e fundit në një vend ku standardet e sigurisë dhe rregullat e zjarrit zbatohen dobët.
Ndryshe, në mars të vitit të kaluar, zjarri në një fabrikë veshjesh pranë Kajros ka lënë të paktën 20 persona të vdekur dhe 24 të tjerë të plagosur.