Pas tre muajsh me ndeshje të shumta në ligën ESEA Main, ekipi nga Kosova XTEAM ka siguruar pjesëmarrjen në sezonin e 42-të të ligës ESEA Advanced, në Counter-Strike: Global Offensive (CS:GO).
Ekipi XTEAM po vazhdon të triumfojë që nga formimi i tyre, pasi së fundmi dolën edhe fitues të turneut evropian CEE CHAMPIONS, ku morën me vete çmimin prej 15 mijë dollarësh.
Menaxheri i skuadrës XTEAM, Ismail Jupolli, në intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se fitorja në CEE Champions është arritja më e madhe e ekipit nga Kosova, dhe se pas sezonit të verës presin ftesa nga disa turne të ndryshme.
Edhe pse nuk e nisën mirë në ‘play-off’, ekipi XTEAM arriti që të rikthehet duke e mposhtur të martën ekipin Make your Destiny, me rezultat të përgjithshëm 2-0 me mapa, kështu duke e siguruar pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm të ligës ESEA Advanced.
Tani në sezonin e radhës të ESEA Advanced, ekipi nga Kosova do të garojë me shumë skuadra të cilat janë të një niveli më të lartë se liga ESEA Main.
Pjesë e kësaj lige është edhe ekipi shqiptar BLINK, të cilët së fundmi nuk kishin sukses që të sigurojnë vendin për ligën tjetër më të lartë.
We secure our spot in the @ESEA Advanced for the next season by beating @teamMYD in a best-of-three series! More matches coming up in the following days. GGWP
pic.twitter.com/T97SVr0EbI
— X (@xteamrks) June 28, 2022
Në kohën kur janë duke triumfuar ekipe të ndryshme botërore në lojën e Counter-Strike:Global Offensive (CS:GO), ekipi nga Kosova XTEAM në ranglistën botërore zë vendin e 88-të. Ky ekip është duke u përpjekur të arrijë në kampionatin më të madh të CS:GO, Major Championships, të njohura zakonisht si ‘Majors’.