Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar sot se gjatë muajit mars të këtij viti, vlera e kredive të reja në Kosovë është mbi 240 milionë euro.
Ndërsa, vlera e depozitave ka arritur në 69.70 milionë euro.
Lexo më shumë: BQK: Vlera e kredive të reja për muajin mars 2024 arriti mbi 240 milionë euro
Lidhur me këtë temë, ekonomisti Jakup Bellaqa, në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka thënë se interesi i bankave që japin kredi janë shumë të larta.
“Kreditë duhet të jenë të volitshme, afatgjate dhe interesi duhet të jetë më i ulët. Kredia mesatare për muajin mars është 6.24 për qind, ndërsa për muajin shkurt ka qenë 6.34 për qind. Ka një rënie të vogël por interesi i bankave është shumë i lartë, andaj është e papërballueshme për qytetarët”, ka thënë Bellaqa, duke shtuar se qytetarët më së shumti marrin kredi për konsum, rregullim të shtëpive, për blerjen e ndonjë veture dhe sipas tij, shumë pak prej tyre po marrin kredi për krijimin e bizneseve.
Bellaqa ka thënë se bankat komerciale në Kosovë fitojnë më shumë se në çdo vend tjetër dhe kjo sipas tij, është e papranueshme dhe se Banka Qendrore e Kosovës duhet ta luajë rolin e vet më aktiv.
“Banka Qendrore të veprojë edhe sipas sygjerimeve dhe rekomandimeve të Bankës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe pastaj direktivat e Bashkimit Evopian…”, ka thënë tutje ekonomisti.
Ai është shprehur se edhe në të kaluarën qytetarët e vendit kanë marrë kredi por në periudhën fundit është hasur që ka një rritje të numrit të qytetarëve që marrin kredi. Sipas tij, për shkak edhe të inflacionit e çmimeve të larta, qytetarët detyrohen të marrin kredi për t’ia dalë.
Ekonomisti përsëri ka theksuar se Banka Qendrore e Kosovës si monitoruese e bankave komerciale duhet t’i mbikëqyrë ato dhe se interesat e kredive në këto banka së paku duhet të jenë sipas rajonit e jo më të larta. Ai ka potencuar se BQK-ja duhet të promovojë një stabilitet financiar sepse sipas tij, motoja e saj është ta mbrojë konsumatorin.
Bellaqa ka treguar se nëse flasim për zhvillim ekonomik të vendit atëherë kreditë duhet të jenë afatgjate dhe me kamata shumë të ulëta.
Në këtë rast, ekonomisti ka potencuar se partneriteti dhe bashkëpunimi mes BQK-së dhe bankave komerciale duhet të jetë më i fuqishëm dhe të mos i dëmtojnë interesat.
Për më shumë mund të shikoni videon më poshtë: