Kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu doli para policisë për t’u marrë në pyetje mbi akuzat e lidhura me terrorin të shtunën, një ditë pas marrjes në pyetje mbi akuzat për korrupsion.
Arrestimi i tij në fillim të kësaj jave ndezi protesta në të gjithë Turqinë, me shumë demonstrues që e shohin ndalimin e tij si një përpjekje të drejtuar politikisht për të eliminuar një rival kryesor nga gara e ardhshme presidenciale.
Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha se 343 të dyshuar ishin arrestuar në protestat në të gjithë vendin të premten në mbrëmje, duke shtuar: “Nuk do të ketë asnjë tolerancë për ata që kërkojnë të shkelin rendin shoqëror, të kërcënojnë paqen dhe sigurinë e njerëzve dhe të ndjekin kaosin dhe provokimin”.
Mediat lokale raportuan se policia mori në pyetje Imamoglun për rreth pesë orë si pjesë e një hetimi mbi pretendimet për ndihmën e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit të jashtëligjshëm, PKK. Të premten ai u mor në pyetje për katër orë për akuza për korrupsion.
Pak para se të transferohej në gjykatë, autoritetet lokale mbyllën rrugët aty pranë dhe një numër i madh policie u dërgua në zonë.
Imamoglu është një figurë popullore opozitare dhe shihet si një sfidues i madh i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Ai u arrestua të mërkurën pas një bastisjeje të agimit në rezidencën e tij mbi akuzat për krime financiare dhe lidhje me militantët kurdë.
Kryetari i bashkisë mohoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij gjatë të dy marrjeve në pyetje.
Shumë e shohin arrestimin si një përpjekje të drejtuar politikisht për të hequr një figurë popullore të opozitës dhe sfiduesin kryesor të Erdoganit në garën e ardhshme presidenciale, e planifikuar aktualisht për në vitin 2028.
Arrestimi i tij shkaktoi protesta që janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në intensitet.
Të premten, policia në Stamboll përdori sprej piper, gaz lotsjellës dhe plumba gome për të zmbrapsur qindra protestues që u përpoqën të çanin një barrikadë përpara ujësjellësit historik të qytetit, ndërsa hodhën flakë, gurë dhe objekte të tjera ndaj oficerëve.
Zyrtarët e qeverisë hedhin poshtë akuzat se veprimet ligjore kundër figurave të opozitës janë të motivuara politikisht dhe këmbëngulin që gjykatat e Turqisë të funksionojnë të pavarura.