Edhe pse viti i ri akademik në nivelin e lartë të arsimit ka filluar, Këshilli Drejtues, i cili është organi kryesor qeverisës i universitetit të Prishtinës, nuk ka funksionuar plotësisht.
Aty mungojnë edhe katër anëtarë të cilët sipas ligjit, të drejtë emërimi ka Ministria e Arsimit.
RTV Dukagjini, ekskluzivisht ka siguruar vendimin e kësaj ministrie për emërimin e 4 anëtarëve në këtë organ.
Hajrullah Koliqi, Arta Shehu Zaimi, Arbëresha Turjaka dhe Altin Sahiti do të ushtrojnë këto përgjegjësi edhe për një mandat tjetër, pasiqë të njëjtit ishin anëtarë të KD-së edhe mandatin e kaluar.
Kjo është konfirmuar edhe nga Altin Sahiti, i cili përmes telefonit bëri të ditur se gjatë së premtes do të vendosin nënshkrimin edhe për një mandat të ri.
Në lidhje me këtë situatë, kritika të shumta për mosfunksionalizimin e Këshillit Drejtues të UP-së ka ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.
Ai thotë se duhet një riformim i plotë i mënyrës së zgjedhjes së këtyre anëtarëve.
“Kjo nuk e ndihmon aspak rektorin dhe as universitetin që të funksionojë. Mënyra e tanishme e funksionimit dhe emërimit të këtij bordi është shumë problematike. Është shumë e rëndësishme që edhe studentët të jenë të përfaqësuar në këtë organ, e dyta, ky parimiteti pesë anëtarë të universitetit dhe 4 nga ana e Ministrisë, nuk e ndihmon shumë funksionimin e këtij institucioni”, ka thënë Rexhaj.
Ndërsa, njohës tjetër i kësaj fushe, Rinor Qehaja, thotë se Këshilli i ri drejtues kur të funksionalizohet, të kthej vëmendjen tek studentët.
“Shpresoj shumë që Këshilli i ri të riorientojë Universitetin e Prishtinës drejtë një cilësie më të rritur, por më e rëndësishmja drejtë një oferte për studentët që në thelb, ofron përgjigje kërkesave të tregut të punës në Kosovë, pra Bordi i ri duhet të kthej vëmendjen tek studentët dhe në interes vetëm të tyre”, ka theksuar Qehaja
Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote.
Ministria e Arsimit, emëron katër anëtarë dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i universitetit.
Njëra nga detyrat me rëndësi e Këshillit Drejtues është edhe zgjedhja e Rektorit.