37 automjete të blinduara, tytat e tankeve të kthyera në drejtim të fshatit, forca speciale të armatosura deri në dhëmbë. Nga stacioni në Ferizaj, për në Reçak u ftuan edhe policë në detyrë e rezervë. Në hyrje të Shtimes nuk ishin parë kurrë më shumë forca. Vëzhguesit që hartuan planin ishin vendosur javë më parë në malet e Reçakut.
Të gjithë ishin nën komandën e shefit të Forcave Speciale të Policisë serbe, Goran Radosavljević, i njohur si “Guri”.
Kështu përshkruhet se nisi aksioni ku u masakruan 45 civilë shqiptarë, në aktgjykimin e Tribunalit të Hagës ku u dënua 27 vjet burgim Vlastimir Gjorgjeviq.
RTV Dukagjini ka arritur ta sigurojë një provë nga ky rast – konkretisht atë P57, që tregon me emra dhe mbiemra ata që dyshohet se e organizuan masakrën e Reçakut.
Dokumenti që mban datën 16 qershor 1998 është klasifikuar si sekret shtetëror nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Aty zyrtarizohet krijimi i stafit ministror për shtypjen e terrorizmit.
“Formohet një staf për shtypjen e terrorizmit në AP /krahinën autonome/ të Kosovës dhe Metohisë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë (në tekstin e mëtejmë: Stafi) me seli në Prishtinë”.
Hierarkia është kjo:
Gjeneral Major Sreten LUKIĆ, Shefi i Shtabit, (Foto)
David GAJIĆ, Zëvendës Shefi i Shtabit -,
Radoslav Dinoviq, ndihmës Shefi për Intervenime dhe Planifikim Operacional,
Milorad Luković, ndihmës Shefi për Operacione Speciale -, (Foto)
Živko Trajković, ndihmës Shefi për Njësitë Speciale Antiterroriste – Nënkolonel, (Foto)
Goran Radosavljeviq, ndihmës shefi për njësitë speciale të policisë – majori (Foto)
Milutin Vukoviq, ndihmës shef për njësitë e mekanizuara dhe mbështetje teknike,
Novica Zdravković, ndihmës shefi për çështje dhe informacione kriminale dhe operative –
Radovan Učurević, ndihmës shef për të huajt dhe çështjet e hordhisë, ,
Milorad Rajičić, ndihmës Shefi për Logjistikë – Këshilltar i Lartë,
Raško Milenković, Asistent i udhëhequr për analiza – Këshilltar,
Kapiten Milan Čanković, Shefi i Komunikimit
Dobrašin Krdzić, Shefi i Trupave Mjekësore – Inspektori i Lartë
Dokumenti mbanë nënshkrimin e ministrit të atëhershëm, Vlajko Stojiljkoviq.
Kjo është hierarkia e eprorëve që dyshohet se kanë përgjegjësi në planifikimin dhe organizimin e masakrës së Reçakut.
Pikërisht për masakrën e Reçakut, Prokuroria Speciale e Kosovës është vënë në lëvizje.
Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut. Kjo është pohuar në përvjetorin e masakrës në Reçak nga Kryeministri.
Megjithatë Prokuroria Speciale nuk e ka konfirmuar këtë lajm, dhe nuk ka dhënë detaje se kush janë të dyshuarit për të cilët po kërkon të arrestohen.