Ndonëse e fitoi titullin e kampionit dhe kupën në Belgjikë me Antwerp, Arbnor Muja nuk ka pranuar ftesë nga kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e muajit qershor në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Por, një konsideratë më të lartë për Mujën duket që e kanë në kombëtaren e Shqipërisë.
RTV Dukagjini mëson nga disa burime, se Muja pëlqehet shumë nga selektori Silvinjo.
Madje, kjo nuk është e gjitha.
Të njëjtat burime treguan se Mujës i është kërkuar të pajiset me pasaportë shqiptare – në mënyrë që të t’i bashkohet kuqezinjëve sa më shpejtë.
Në anën tjetër, nuk ka pasur ende ndonjë reagim nga futbollisti në fjalë lidhur me këto zhvillime.
Muja ka zhvilluar një sezon fenomenal – pasi shënoi plot tre gola dhe asistoi po aq herë në elitën e futbollit belg dhe mbetet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e tij.