Muzikanti dhe këngëtari Robert Berisha ka zbuluar në një intervistë ekskluzive për emisionin “Reload” të RTV Dukagjini se do të ketë një bashkëpunim të ri me këngëtarin e mirënjohur Sinan Vllasaliu.
Berisha është shprehur me entuziazëm për bashkëpunimin e ri dhe vlerëson kontributin e Sinan Vllasaliut në muzikë.
Ai ka treguar se Vllasaliu nga shtatori do të jetë pjesë e bendit në emisionin e tij, “Robi plaket kur don vet”.
“Me asnjë femër nuk kam ndenjur aq gjatë sa me Sinanin. Sinani vazhdon të qëndrojë në Amerikë, ka 60 vjet dhe ende është në formën më të mirë. Ka diçka të re për të na sjellë. Kemi një bashkëpunim të ri, një rikthim. Planet tona janë me bandën time. Unë jam i ri në mënyrën se si këndoj, ndërsa Sinani ka stilin e tij të veçantë. Ne do të bashkëpunojmë edhe për performanca në dasma dhe ahengje. Nuk ka pasur mundësi të vijë më parë në Kosovë, por që nga shtatori, kur filloj sezonin e ri të emisionit, Sinani do të na bashkohet”, ka thënë Berisha.
Berisha ka punuar me Vllasaliun për shumë vite dhe bashkëpunimi i tyre kishte sjellë suksese të mëdha në skenën muzikore.
Tashmë ky bashkëpunim i ri ndërmjet tyre do të sjellë emocione të reja dhe pritet të jetë një surprizë e këndshme për fansat e tyre.