Në një intervistë për Radio Dukagjinin, eksperti i sigurisë Drizan Shala tha se gjatë ditës së sotme KFOR-i është angazhuar me forca shtesë afër kufirit të Kosovës me Serbinë pasi ka pasur informacione se një grup ultra-nacionalist serbo-malazez do të tentojnë të djegin pikën kufitare në Jarinjë ashtu siç ka ndodhur në vitin 2008 kur është shpallur pavarësia.
Sipas Shalës KFOR-i me angazhimin e njësive relevante në formë preventive ka dëshmuar se çfarëdo tentative do të ballafaqohet me forcën ndërkombëtare që është garancia e vetme e sigurisë në atë pjesë për momentin.
“Sa më gjatë që barrikadat mbesin, ato që janë, çështja do të bëhet më e komplikuar dhe çdo gjë do të bëhet në nivelin politik”, ka theksuar Shala.
Ai ka shtuar se vizitat e krerëve politikë në atë pjesë në këtë lloj situate nuk i kontribuojnë fare sigurisë në atë pjesë, pasi sipas tij situata atje varet nga veprimet politike, e nëse këto janë të pamatura do të prodhojnë tensione në sferën e sigurisë.
“Vizita që ka bërë ministri i brendshëm në atë pjesë, de fakto nuk i ka kontribuar, nuk i ka shërbyer fare uljes së tensionimit në atë pjesë… Pas asaj vizite patëm edhe një bllokadë të re. Kjo dëshmon se një levizje duke tentuar të përqojë një mesazh politik, po reflektohet me shtimin e barrikadave të reja”, ka shtuar eksperti i sigurisë.
Shala thekson se frika më e madhe është nëse këto grupe të ultra-nacionalistëve të krijojnë barrikada të reja, dhe bindin KFOR-in që institucionet e Kosovës të largohen plotësisht nga kjo pjesë e Kosovës, kjo do të ishte një nga momentet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pasi do të kishte shfuqizim të kushtetutshmërisë.
Ai ka deklaruar se me këtë situatë jemi kthyer si në kohën e para shpalljes së pavarësisë së Kosovës kur ka pasur lëvizje të tilla të grupeve nacionaliste serbe.
Që nga vendosja e barrikadës së parë, thekson Shala, Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e brendshëm, Xhelal Sveçla është dashur të ulen dhe çdo veprim të mëtutjeshëm ta koordinojnë me KFOR-in, që mos të vijnë në një situatë që zyrtarët tanë të qëndrojnë të bllokuar në kufi për 10 ditë.
“Në aspektin e sigurisë nuk kemi marë për bazë disa parametra, sepse 2021-ta, shtatori, ka qenë impakt se çfarë do të na presë nëse ne bëjmë ndonjë lëvizje të pamatur e jemi të papregaditur, dhe ne nuk kemi ndryshuar nga mënyra e veprimit, të njëjtin problem e kemi, kemi barrikada, kemi zyrtarë në pjesën veriore të bllokuar, nuk kemi qarkullim të lirë, kemi pika kufitare të bllokuara, pra çështja është se ne po kthehemi në vitin 2021 sa i përket bllokadave, në kontekstin politik jemi para 2008ës”, ka deklaruar Shala.
Eksperi i sigurisë ka deklaruar se ka kërcënime, shantazhe, indikacione se ka grupe të armatosura të cilët me çdo kush janë duke pritur një konfrontim me institucionet e Kosovës, pasi nuk kanë leje nga Beogradi t’i sulmojnë misionet ndërkombëtare.
Në lidhje me heqjen e barrikadave, Shala deklaroi se të gjithë akterët ndërkombëtare kanë deklaruar se ato duhet të hiqen nga vet barrikaduesit. Shton se në atë pjesë ka prani të shtuar të KFOR-it, dhe në rast se këto barrikada do të pengojnë ndonjë ushtrim të KFOR-it, do të kemi heqjen e tyre.