Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe familja Lleshi kanë hapur ekspozitën “Kontributi atdhetar i familjes Lleshi” të autorëve Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, me rastin e 25-vjetorit jubilar të rezistencës së armatosur nga kjo familje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës rrënjët i kanë në gjakun e dëshmorëve.
Ai ka theksuar se kjo ekspozitë shënon kontributin e familjes Leshi në kryengritje dhe luftën çlirimtare.
“Kjo ekspozitë e shënon kontributin e familjes Leshi në kryengritje dhe luftën tonë çlirimtare. Sot e kemi 25-vjetorin e rënies heroike të Kolës dhe Markut nga familja Lleshi. Ndërkaq, më 28 janar të vitit të ardhshëm do të shënojmë 25-vjetorin e rënies së Predni dhe Memes”, ka thënë Kurti, raporton EO.
“Pra, 4 shtylla dhe 4 dëshmorë dëshmi e gjakut të derdhur për çlirimin e Kosovës, që na përkujtojnë se sa i madh ishte çmimi i lirisë që e gëzojmë, i çlirimit që u realizua dhe i shtetit e i pavarësisë sonë që i kanë rrënjët pikërisht në gjakun e dëshmorëve”, ka vijuar ai.
Autori i kësaj ekspozite, Sadik Krasniqi, ka thënë se në këtë ekspozitë janë prezantuar mbi 100 eksponate, mbi 200 fotografi, si dhe dokumente dhe materiale nga shtypi i kohës.
“Përpjekjet e popullit të Kosovës për çlirim kombëtar nuk pushuan asnjëherë gjatë historisë. Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë dhe me plotë sakrifica dhanë kontribut shumë familje dhe personalitet shqiptare, e tillë ishte edhe familja e Marka Llesheve. E cila nga gjiri i vetë nxori shumë burra e djem të zote që kontribuuan për lirinë e atdheun”, ka thënë Krasniqi.
“Janë të prezantuar disa materiale që janë ndarë në katër grupe, fotografi, dokumente, shtypi i kohës. Sa i përket koleksionit të prezantuar janë mbi 100 eksponate, mbi 200 fotografi si dhe dokumente dhe shtypi i kohës”, ka thënë ai.
Gegë Lleshi, familjar ka thënë se me këtë ekspozitë është bërë një punë e mirë pasi sot janë vendosur në dritë veprat e dëshmorëve.
“Ata nuk kërkojnë shumë, ata kërkojë t’i përkujtojmë, të punojmë dhe t’i respektojmë. Mendoj se sot e kemi bërë një vepër të mire ndaj tyre. Dhe sot e kemi vendosur në dritë që vepra e tyre të mos i mbulojë pluhuri i historisë”, ka thënë ai.
Hapjen e kësaj ekspozite e mirëpritën familja Lleshi, ndërsa autorët thanë se kjo ishte më e pakta çka mund të bëhet për kontributin e familjes Lleshi për Kosovën.