Ekzaltim në terr

Pushtet e opozitë u ekzaltuan nga numri i mërgimtarëve të regjistruar për të votuar më 9 shkurt. Shumë nga ta që erdhën në pushime, i priti terri. Kështu as ata, e as qytetarët brenda Kosovës nuk po mund t’i shohin “sukseset që po shpërthejnë”. Në terr po ndriçon veç propaganda.

E pabesueshme si është përcjellë nga zyrtarët e partive politike regjistrimi i votuesve nga diaspora. Hap pas hapi, në kohë reale, thua se po realizohej udhëtimi i parë nga Kosova në Mars. Sy e veshë kanë qenë të drejtuar kah diaspora, ndërkohë që në Kosovë terri kishte pllakosur fshatra e qytete në mungesë të energjisë elektrike.

Përderisa partia në pushtet ekzaltohej që numri i të regjistruarve po kalonte 100 mijëshin, LDK e bëri punë të kryer se 40 mijë mërgimtarë do t’ia jepnin votën asaj. Një garë e pakuptimtë për vota njerëzish, të cilët janë të lirë të votojnë dhe nuk janë pronë e asnjë subjekti politik.

Rezultati i arritur nga Vetëvendosja në zgjedhjet e kaluara nacionale krijoi përshtypjen sikur fitorja u arrit me votat e diasporës. Andaj, viteve të fundit partitë opozitare shtuan aktivitetin politik jashtë vendit, në përpjekje për t’u riorganizuar dhe animuar sa më shumë njerëz që t’i votojnë. Si asnjëherë më parë në listat e kandidatëve për deputetë iu dha hapësirë dhe pompozitet atyre nga diaspora.

Në vend që energjinë ta orientojnë brenda vendit, duke prezantuar ofertat zgjedhore dhe ide për zgjidhjen e problemeve, partitë u fokusuan në diasporë. Natyrshëm votat e njerëzve që jetojnë jashtë e kanë rëndësinë e vet, por as për së afërmi jo sa ato të qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Andaj, është i pakuptimtë ekzaltimi me numra thua se bëhet fjalë për “jetë a vdekje”.

Por, përtej ekzaltimit dhe fushatës partiake për diasporën, pyetja thelbësore është: cilat janë arsyet që mërgimtarët duhet votuar ndonjërën nga partitë? As kjo që është në pushtet, e as të tjerat para saj nuk është se kanë bërë diçka serioze për ta. Më tepër i kanë shfrytëzuar për qëllimet e veta, sesa vërtet janë angazhuar për t’i përkrahur në çfarëdo forme. Andaj euforia për diasporën është false dhe e pasinqertë.

Madje, mënyra që kanë zgjedhur partitë për t’ua mbushur mendjen marëgimtarëve që t’i votojnë është fyese, sepse ata po shihen veç si numra që iu “kryejnë punë” më 9 shkurt, e jo si pjesë solide e qytetarëve, të cilët kanë nevoja, kanë kërkesa, kanë ide.

* * *

Euforik dhe i ekzaltuar, si rëndom, u tregua edhe ministri Hekuran Murati. Ai njoftoi qytetarët që për herë të parë në historinë e vendit të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën tre miliardë euro, duke arritur realizim të plotë të planifikimit vjetor ende pa përfunduar viti.

Por, postimin e ministrit në rrjetet sociale nuk patën mundësi ta shohin qindra-mijëra qytetarë të Kosovës, sepse me ditë të tëra po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike.

Sa ishte në opozitë Vetëvendosja tregohej e ashpër në kritikat e veta për mungesë rryme, duke fajësuar pushtetet e kaluara dhe duke i etiketuar me emra të llojllojshëm bartësit e institucioneve.

Tash, në prag të festës së vitit të ri, kur vendi është zhytur në terr, arsyetimet e pushtetit janë se situata e tillë është krijuar për shkak të ngarkesës dhe konsumit të madh. Ndërkaq, për katër vjet në pushtet, partia e Albin Kurtit nuk ka ndërmarrë kurrfarë hapi serioz për të zgjidhur në afat të gjatë çështjen e furnizmit me rrymë.

Mijëra mërgimtarë, të cilët janë regjistruar për të votuar më 9 shkurt dhe për të cilët pushteti njoftonte me eufori, e kanë gjetur Kosovën në terr. Në fund të vitit 2024 vendi ende vuan për rrymë, ndërkohë që e vetmja gjë që ndriçon është propaganda për mirëqenie, miliarda euro të mbledhura në buxhet dhe jetë të mirë si ansjëherë më parë. Se nuk është kështu qeveria demantohet çdo ditë. Megjithatë, propaganda vazhdon dhe pushteti përpiqet ta mirëmbajë atë edhe me ndihmën e militantëve që jetojnë në diasporë, të cilët nuk jetojnë në Kosovë dhe nuk ballafaqohen me problemet reale të vendit. Për pushtetin e rëndësishme është të arrihet me çdo kusht një numër i caktuar “zemrash”, duke premtuar që në katër vjetët e ardhshëm “do të jetë ndryshe”.

Të fundit nga rubrika