Pronari i Twitter, Elon Musk ka thënë se drejtimi i Twitter-it ka qenë “mjaft i dhimbshëm”.
Në një intervistë për BBC, sipërmarrësi multimiliarder tha se do ta shiste kompaninë nëse do të vinte personi i duhur.
Musk, i cili gjithashtu drejton prodhuesin e makinave “Tesla” dhe firmën e raketave “SpaceX”, bleu Twitter për 44 miliardë dollarë (35.4 miliardë £) në tetor.
Intervista u transmetua drejtpërdrejt nga selia e Twitter në San Francisko, duke tërhequr më shumë se tre milionë dëgjues. Në bisedën e zhvilluar, Musk mbrojti drejtimin e tij të kompanisë.
I pyetur nëse ishte penduar për blerjen e Twitter, njeriu i dytë më i pasur në botë tha se “niveli i dhimbjes ka qenë jashtëzakonisht i lartë, kjo nuk ka qenë një lloj feste”.
Ka qenë “me të vërtetë një situatë mjaft stresuese gjatë disa muajve të fundit”, shtoi ai, gjersa theksoi se ende mendonte se blerja e kompanisë ishte gjëja e duhur për të bërë.
Krahas kësaj, Musk tha se përdorimi i faqes është rritur.
“Ngarkesa do të thotë se ndonjëherë fle në zyrë”, tha ai, duke shtuar se “ka një vend në një divan në një bibliotekë që nuk shkon askush”.
Duke diskutuar financat e Twitter-it, Musk tha se kompania tani është “përafërsisht duke e thyer barazimin”, pasi shumica e reklamuesve të saj janë kthyer, transmeton BBC.
Ai tha gjithashtu se shkurtimi i fuqisë punëtore nga pak më pak se 8,000 në kohën kur bleu firmën në rreth 1,500 nuk ishte e lehtë. Musk pranoi se nuk i pushoi të gjithë personalisht – duke thënë: “Nuk është e mundur të flasësh me kaq shumë njerëz ballë për ballë”.
Largimi i shumtë i personelit qëkur Musk bleu kompaninë ka ngritur shqetësime për stabilitetin e platformës.
Musk ka një pasuri personale prej gati 190 miliardë dollarësh, duke e bërë atë njeriun e dytë më të pasur në botë, sipas listës së miliarderëve të Forbes.