Kryetari i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës (SHFK), Ridvan Emini është nderuar me mirënjohje falënderuese nga Universiteti i Prishtinës për kontributin e tij të vazhdueshëm ndër vite në promovimin e filozofisë.
Mirënjohja falënderuese të parit të filozofëve të Kosovës i cili është edhe drejtor i Simpoziumit Inter trans disiplinar për Filozofi, art dhe Teknologji “Filozofema” i është nda në Ditën Botërore të Filozofisë në hapje të punimeve të Konferencës së XV-të Ndërkombëtare “Kanti në 300: Rishqyrtimi i themeleve të filozofisë moderne dhe iluminizmit”.
Shefi i Departamentit të Filozofisë i Universitetit të Prishtinës, Valon Leci ka thënë se ndihet shumë i nderuar që në emër të departamentit ai ndanë mirënjohje për Eminin i cili ka dhënë një kontribut të madh për zhvillimin dhe promovimin e filozofisë në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare për mbi një dekadë e gjysmë.
Punën e Eminit e ka vlerësuar lartë edhe rektori i Universiteti të Prishtinës, Arben Hajrullahu.
Ridvan Emini është studiues i filozofisë dhe shkencave politike. Ai është themelues i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës e cila pas dy vitesh aktivitet është bërë anëtare me të drejta të plota në Federatës Botërore të Filozofisë(FISP) e cila është themeluar në vitin 1948 dhe është anëtare e Këshillit Ndërkombëtarë për Filozofi dhe Shkenca Humane, organizatë joqeveritare që përbën lidhjen midis federatave ndërkombëtare të shkencave humane dhe UNESCO-s.
Emini është autor e bashkautor i disa veprave. Ai është shpallur “Qytetar i Botës i shekullit XXI” i shpallur nga UNESCO me propozim të Shkollës Sokratike të Athinës (2017), është organizator i shumë konferencave ndërkombëtare. Ai është redaktor në revistën filozofike “Agora Philosophia” me seli në Prishtinë.