Emisari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, këtë të enjte ka nisur vizitën e tij në Kosovë, e cila u konfirmua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndonëse ende nuk ka agjendë zyrtare, vizitën e tij në Kosovë e paralajmëroi një ditë më parë kryeministri Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se do të zhvillojë një takim me zyrtarin e lartë amerikan.
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit këtu në Prishtinë. Ju e dini se ai është pasardhës i Gabriel Escobarit dhe besoj se me Alexander Kasanof do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Se çfarë mund të presim prej tij, do të duhet të presim edhe 24 orë,” u shpreh Kurti në deklaratën e tij.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Kasanof do të takohet gjithashtu me Presidenten Vjosa Osmani dhe me përfaqësues të tjerë të partive politike.
Vizita e Kasanof vjen pas ndalesës së tij në Beograd, ku ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit, Vuçiq ka theksuar se kishte diskutuar për situatën në rajon, duke përfshirë sfidat që përballen serbët në Kosovë.