Avokati mbrojtës i Kadri Veselit tha se kundër klientit të tij s’ka asnjë provë – përjashtim me një që do ta elaborojë më vonë – e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat ngarkohet.
“Asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë parë Kadri Veselin të bënte diçka të papërshtatshme. Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e ZPS-së, edhe pse kishte vdekur dhe provat ishin në letër. Ishte një dëshmitar që kishte pretenduar se e ka parë Veselin në Kukës duke marrë në intervistë një të ndaluar. Por, ishte e dukshme që në fillim dhe pasi pamë deklaratat e dëshmitë e tij se ky dëshmitar ishte gabuar sa i përket identifikimit të Veselit dhe ai kështu ishte shprehur edhe vetë. ZPS tani e pranon se ky dëshmitar e ka identifikuar gabimisht Veselin. Qëndrimi i ZPS është se është e panevojshme të ndryshojnë aktakuzën për këtë gjë. Ata nuk propozojnë që të paraqesin prova në mbështetje të kësaj”, tha avokati Ben Emmerson.
Sipas Emmerson-it, nuk ka asnjë provë që Veseli, si shef i zbulimit, “ka autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo vepër kriminale, apo të ketë marrë ndonjëherë ndonjë raportim për kryerjen e ndonjë krimi”.
Emmerson ka përshkruar rolin e klientit të tij brenda strukturave UÇK-së si shef i shërbimit sekret.
“Sapo Veseli u emërua shef i zbulimit ai u largua nga Kosova deri pak para momentit që NATO të marrë vendimin për bombardime”, tha ai, shkruan REL.
Sipas avokatit, funksioni i zbulimit që kryente Veseli ishte i fokusuar në lidhjet e mbajtura me aparatin informativ të Shqipërisë dhe disa shteteve të NATO-s në pritje të asaj që pritej të vinte, përkatësisht fushata e bombardimeve.
“Funksioni i tij nuk kishte të bënte fare me zbulimin e brendshëm apo gjetjen e kolaboracionistëve. Fokusi i tij ishte thuajse tërësisht me mbajtjen e lidhjes me organizatat e huaja”, tha Emmerson.
Ai përsëriti disa herë që Veseli kishte qëndruar jashtë Kosovës dhe nuk ishte prezent në vendet ku prokuroria pretendon se janë kryer krime në qendrat e ndalimit.
Tutje, Emmerson tha se klienti i tij dhe as UÇK-ja nuk i kanë shënjestruar mbështetësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Një prej të metave në thelbin e provave që ka prokuroria është nocioni që e mendon një numër relativisht i vogël i individëve, që udhëheqja e UÇK-së, kanë komplotuar së bashku për të vënë në shënjestër mbështetësit e LDK-së për t’i përndjekur, por siç do ta dëgjoni, ky është një mendim krejt i ndryshëm nga ajo që ka ndodhur në terren”, tha ai.
Sipas Emmerson-it, “shumica e anëtarëve të UÇK-së ishin mbështetës të LDK-së”.
“Nuk ishin dy grupe më vete, ishin të ndërthurura. Konflikte ka pasur, dallime në mendime ka pasur, si në çdo rast kur bashkohen dy forca politike”, tha Emmerson.