Pak minuta para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që nis sot në orën 10:00, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Edhe pse posti i kryeparlamentarit i takon pikërisht Vetëvendosjes si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk dihet nëse Glauk Konjufca do të propozohet për një mandat të dytë në këtë pozitë, të cilën e mbajti gjatë katër viteve të fundit.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është renditur si pika e tretë në agjendën e seancës së sotme.
Përbërja e re e Kuvendit
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit:
- Vetëvendosje ka fituar 42.30% të votave dhe do të ketë 48 deputetë,
- PDK ka fituar 24 ulëse,
- LDK do të ketë 20 deputetë,
- Koalicioni AAK-Nisma do të ketë 8 deputetë.
Kjo nënkupton se Vetëvendosja nuk mund të formojë e vetme as qeverinë, as të sigurojë zgjedhjen e kryeparlamentarit pa votat e disa partive të tjera.
Kurti tashmë ka zhvilluar takime me përfaqësues të komuniteteve joshumicë dhe ka dërguar ftesë për konsultime edhe LDK-së, e cila e ka refuzuar.