Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka njoftuar se ende nuk ka ndonjë vendim se Qeveria e Kosovës këtë vit do të mbulojë shpenzimet për policat e sigurimit kufitar për mërgimtarët, sikurse viteve të kaluara.
Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Byroja ka thënë se para pak kohësh ka pranuar nga Ministria e Financave (MF) një draft të marrëveshjes për këtë çështje, e cila është diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme të Byrosë, draft ky që është përcjellur pastaj në MF me propozimet e bëra.
Po ashtu thuhet se për këtë çështje, BKS ka pasur një takim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) por nuk ka pasur marrëveshje të nënshkruar për mbulim të policave të sigurimit kufitar.
“Para pak kohësh nga Ministria e Financave (MF) përmes postës elektronike kemi pranuar një draft të marrëveshjes për këtë çështje, e njëjta është diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) dhe ne gjithashtu më pastaj kemi dërguar draft marrëveshjen me propozimet tona. Gjithashtu për këtë çështje ne kemi pasur një takim vetëm me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), por deri më tash nuk ka marrëveshje të nënshkruara për mbulim të policave”, thuhet në përgjigje.
BKS tutje thotë se është në dorën e ministrisë së Financave për të marrë ose për të mos marrë vendim në lidhje me këtë çështje.
Në ndërkohë, Portali Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave në lidhje me këtë çështje por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Viti i kaluar ishte viti i tretë që Qeveria mbulonte policat e sigurimit nga buxheti i Kosovës.
Në vitin 2020 dhe 2021, polica merrej falas në kufi nga bashkatdhetarët, ndërsa në vitin 2022 ishte vendosur për rimbursim.
Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të mbulojë koston e policës kufitare për mërgimtarët ndërsa aplikimi për rimbursim bëhej në mënyrë ‘online’.
Më mbledhjen e 26 janarit të vitit 2022, kabineti qeveritar kishte marrë vendim që Ministrisë së Financave t`i ndahen 3 milionë euro për këtë çështje.
Përmes një platforme online, mërgimtarët mund të pajiseshin me formularë ndonëse nuk ishin të informuar shumë në lidhje me formën e rimbursimit.
Instituti GAP e kishte kundërshtuar këtë vendim, pasi sipas tyre është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve.
“Pagesa e policave kufitare përmes buxhetit shtetëror është kundërshtuar nga organizata të shoqërisë civile, duke e konsideruar të paarsyeshme dhe keqpërdorim të buxhetit të taksapaguesve të varfër për pagesën e sigurimeve të veturave private. Vendimi është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të sektorit privat. Kjo për faktin se është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare. Në aspekt afatgjatë, institucionet duhet të sigurohen që numri i veturave të paregjistruara dhe në qarkullim të ulet nga 30% në 5%, dhe kësisoj, të largohet edhe pengesa praktike për aplikim për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”, thuhej nga GAP.
Kosova ende nuk është anëtare e Kartonit të Gjelbër, derisa sipas Qeverisë është duke u punuar për këtë.