Akoma nuk dihet vendndodhja e tre policëve të kidnapuar nga forcat policore serbe, të mërkurën e 14 qershorit.
Fillimisht, ishin mediat serbe të cilat raportuan se policë nga Kosova ishin arrestuar, gjersa më vonë, Policia e Kosovës doli me një komunikatë për të bërë të ditur se policët ishin kidnapuar brenda territorit të Kosovës.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit, ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për t parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitarë, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”, thuhej në njoftim.
Po atë ditë, në një konferencë për media, Policia e Kosovës e ka publikuar hartën e vendndodhjes së tre policëve, të cilët u rrëmbyen dhunshëm nga njësia speciale policore e Serbisë, brenda territorit të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë të ditur se pretendimet se policët e Kosovës janë arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.
Ai e ka demantuar raportimin nga Serbia se zyrtarët policorë janë pjesë e njësisë speciale, sipas tij, ata janë vetëm patrullues kufitarë. Sipas tij, ata kanë qenë në një pikë statike për ta penguar kontrabandën nga Serbia.
Tutje, ai ka bërë të ditur se Policia është në koordinimin me KFOR-in, në lidhje rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga njësiti special policor i Serbisë. Kelani kishte njoftuar se përveç KFOR-it, janë njoftuar edhe të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që t’i bëhet trysni Serbisë për lirimin e policëve.
Njëri nga tre zyrtarët policorë kufitarë që u kidnapuan nga forcat serbe një ditë më parë, është i njëjti që gjatë kohës së barrikadave në dhjetor të 2022-ës kishte mbetur me një grup policësh tjerë i bllokuar në pikën kufitare në Jarinjë për 20 ditë.
Për Dukagjinin ka folur vajza e Beqir Sefës, D.S që thotë se kontakti i fundit me të ka qenë në mëngjesin e së mërkurës, për ta kuptuar më pas rastin përmes mediave.
“Ditën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i angazhuar me orar prej 7:00 në 7:00, orar 12 orësh, qysh është kufiri i paraparë për kufi. Kontakt nuk kemi pasur, përveç dje kur ka shkuar në punë, pas marrjes së informative që 3 policë janë kidnapuar. Kemi tentuar me e thirrë në telefon, një herë i ka cingëruar ka pasur valë, por më nuk ka funksionuar, deri më kur i kuptuar emrat nga mediat”, ka thënë D.S.
Beqir Sefa që para një kohe kishte pësuar një aksident në krye të detyrës, kohë pas kohe i shfaqeshin probleme serioze me shëndetin, deri në vështirësi të ecjes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre, si dhe dënim nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë.
Ai ka theksuar se si inkursioni i forcave, ashtu edhe rrëmbimi, janë akte të hapura të agresionit ndërkombëtar.
“Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës. Si inkursioni i forcave, ashtu edhe rrëmbimi, janë akte të hapura agresioni ndërkombëtar. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të oficerëve dhe që komuniteti ndërkombëtar t’i denoncojë këto akte”, ka deklaruar ai nëpërmjet një postimi në Twitter.
Gjatë të enjtes, Kurti vizitoi edhe familjarët e policëve të kidnapuar.
Nga ana tjetër, Sveçla ka theksuar Serbia ka rrëmbyer 3 policë të Kosovës si hakmarrje për arrestimin e shefit të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, Milun Milenkoviq, i njohur si “Llune”. Se një veprim i tillë kishte motive hakmarrëse kishte shkruar edhe kreu i ekzekutivit.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar ditën e kidnapimit të policëve se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën. Ai pretendonte se policia serbe “ka arrestuar tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit”.
Sa i përket KFOR-it, ai nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur, siç e kanë cilësuar ata, arrestimi i tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat e Serbisë.
Kështu thuhet në një përgjigje të KFOR-it për RTV Dukagjinin.
Në përgjigjen e tyre thuhet se KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhet në përgjigje.
KFOR-i nuk ka dhënë përgjigje apo ndonjë vlerësim në lidhje se ku u kidnapuan zyrtarët policorë të Kosovës.
Ata kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet dhe të “përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, në konferencën e përditshme për shtyp.
“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka deklaruar ai.
Miller gjithashtu ka thënë se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.