Endrit Berisha – një djalosh i ri dhe i pasionuar pas futbollit që nisi rrugëtimin sportiv që në moshën 10 vjeçare, duke mbrojtur ngjyrat e Shkollës së Futbollit “Urbano”.
Ai ishte nën drejtimin e trajnerëve të përkushtuar Ardian Stullqaku dhe Shpëtim Gërvalla, të cilët e mbështetën dhe e orientuan në hapat e tij të parë në sportin e futbollit. Endriti është shumë falënderues ndaj shkollës “Urbano” për mundësitë dhe përkrahjen që i ka dhënë në fillimet e karrierës së tij.
Pas një periudhe, Endriti filloi të stërvitej me trajnerin Sylejman Ismajli – specialist i trajtimit të portierëve.
Me përkushtimin dhe punën e tij të palodhshme, trajneri Ismajli ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e aftësive të Endritit si portier, duke e motivuar maksimalisht dhe duke i rritur besimin në veten e tij. Sot, Endriti shquhet për paraqitjet e tij spektakolare në fushën e lojës.
Një nga momentet kulmore të karrierës së tij ishte pjesëmarrja në turneun “Lazio Cup” në Itali, ku ekipi i tij u përball me gjigandin italian Lazio. Në këtë ndeshje, Endriti bëri paraqitjen më të mirë të karrierës së tij deri më tani, duke tërhequr vëmendjen e klubit NK Devetka, e sot ai mbron me krenari ngjyrat e këtij klubi.
Endriti shpreh mirënjohjen e tij të thellë për trajnerin Sylejman Ismajli, i cili ka punuar pa ndalur për ta ndihmuar të arrijë këtë nivel, dhe gjithashtu për të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin e tij deri më tani.