Pasioni i saj për muzikën, veçanërisht, për instrumentin e pianos ka bërë që rrugëtimin muzikor ta vazhdojë përtej oqeanit.
Adea Badivuku, pianistja po arrin një sukses të jashtëzakonshëm në industrinë e muzikës. Ajo është kandidatja e parë nga Kosova në studimet e doktoratës për piano në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Badivuku në një intervistë për portalin Dukagjini, ka shpalosur disa nga eksperiencat e saj në botën e muzikës, nga përzgjedhja e profesionit e deri te suksesi që sot ka.
Ajo ka thënë se është rritur në frymën e muzikës, dhe se tingulli dhe ngjyra e instrumentit të pianos kanë bërë që sot ajo të luajë me aq profesionalizëm dhe pasion.
“Duke u nisur nga fakti që jam rritur në një familje me traditë muzikore dhe e rrethuar me muzikantë, kam pasur fatin që të njihem me instrumentet qysh në vegjëli. Pianoja më ka tërhequr vëmendjen çdoherë me bukurinë dhe madhështinë e saj. Tingulli i bukur, ngjyrat muzikore e mbi të gjitha dëshira e madhe për të luajtur këtë instrument ishin arsyet kryesore të zgjedhja këtë karrierë dhe profesion”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar rreth shkollimit të saj ndër vite dhe pjesëmarrjen e saj në gara dhe festivale të ndryshme.
“Në moshën 7-vjeçare fillova të vijoj mësimet e para të pianos në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku edhe përfundova shkollimin fillorë dhe të mesëm. Gjatë kësaj periudhe tregova suksese të vazhdueshme në garat pianistike të mbajtura çdo vit brenda dhe jashtë Kosovës duke u shpërblyer me çmime të shumta”
“Pas shkollimit të mesëm me sukses shembullor vazhdova rrugëtimin pianistik në Universitetin e Prishtinës drejtimin instrumental. Përveç pjesëmarrjes në garat pianistike, çdoherë isha pjesë e festivaleve si Chopin Piano Fest, Music Summer Academy, dhe masterklaseve pianistike të realizuara në Kosovë, Evropë dhe SHBA”, ka shtuar pianistja.
Ajo ka treguar se ka performuar në qindra koncerte, festivale dhe gara pianistike si në Kosovë ashtu edhe në skena ndërkombëtare.
“Kam performuar në qindra koncerte, festivale dhe gara pianistike si në Kosovë ashtu edhe në skena ndërkombëtare. Mbi të gjitha mund ta veçoj performancën time në New York “Carnegie Hall” në dhjetor të vitit 2021. Pas marrjes së çmimit të parë në “Golden Classical Music Awards” International Competition në New York, ftesa për të performuar në sallën më prestigjioze në botë ishte thjesht ëndërr e bërë realitet”, është shprehur Badivuku”.
Për një artist vlerësimet, fjalët mbështetëse dhe kritikat kanë peshën e vet, por për Badivukun, çdoherë ka pasur rëndësi përkrahja e vazhdueshme nga familja dhe njerëzit më të dashur.
“Vleresimet në karrieren pianistike janë nga më të ndryshmet. Duke filluar nga garat ku vlerësohemi nga juria profesionale dhe muzikantë prominent të fushave të caktuara e deri te pëlqimet dhe vlerësimi nga audienca”.
“Për mua çdoherë ka pasur rëndësi përkrahja e vazhdueshme nga familja dhe njerëzit më të dashur të mi. E mbi të gjitha mund të them se kritikat, komentet, brohoritjet dhe përgëzimet nga publiku artdashës, njerëz të panjohur të kulturave të ndryshme, janë ndër faktorët kryesore që na japin shtysë neve si artist për të vazhduar punën me më shumë vullnet e dashuri”, është shprehur ajo.
Adea Badivuku është e angazhuar edhe në disa institucione të tjera muzikore. Ajo për portalin Dukagjini ka treguar pjesë nga eksperienca e saj përtej oqeanit, duke thënë se puna dhe mundi ndër vite i është shpërblyer.
“Në SHBA u shpërngula para 4 vitesh për të vazhduar me studimet master në drejtimin e piano performim në Central Michigan University. Aty u ofrova me bursë të plotë studimesh dhe pozitë të asistentes në departamentin e pianos”.
“Mund të them se kjo mundësi ishte një fillim tejet i suksesshëm për karrierën që më priste në Amerikë. Pata fatin të koncertoj në sallat më madhështore si “Carnegie Hall”, të njihem me njerëz prominent të kësaj industrie e të shpërblehem për mundin dhe punën që kisha bërë ndër vite”.
“Tanimë jam pianistja e parë nga Kosova në programin e doktoraturës në piano në SHBA. E ofruar me burse të plotë studimesh doktorate në University of Nevada, Reno ku edhe punoj si asistente e lëndës së pianos, drejtoreshë e muzikës së Nevada Chamber Opera, nënkryetare e shoqatës së mësuesve të muzikës në Nevada. Jam po ashtu edhe pianistja e parë në departamentin hulumtues të këtij Universiteti”, ka shtuar më tej Badivuku.
Teksa është pyetur për momentet e saj më të sikletshme në skenë, ajo ka thënë që paraqitjet e saj i shijon dhe momente të tilla nuk ka përjetuar.
“Nuk mund të them se kam pasur ndonjëherë momente të sikletshme në skenë. Përkundrazi, adrenalina dhe emocionet janë çdoherë të pranishme si pjesë e profesionit dhe jetës artistike”, ka thënë ajo.
Por, çfarë ka bërë që Badivuku të ketë një sukses të tillë?
“Puna e vazhdueshme, dashuria dhe përkushtimi ndaj instrumentit janë çelësi i suksesit. E mbi të gjitha pasioni për muzikën dhe gatishmëria për të mësuar gjithmonë diçka të re. Madhështia besoj se është subjektive por nëse gjithmonë përpiqeni të bëni më të mirën tuaj, më të mirën tuaj absolute, do të jeni të shkëlqyer sepse askush nuk mund të bëjë më shumë se aq”, ka përfunduar ajo.