Hoxha Enes Goga, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka komentuar edhe deklarimet e akademikut dhe historianit, Frashër Demaj, lidhur me hoxhallarët se në kohën e komunizmit kishin ardhur edhe nga Rusia që të ndërhyjnë në shoqërinë tonë, duke mos i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë, por vetëm në xhami.
Goga ka thënë se ka mbetur i habitur nga deklarimet e Demajt.
“Unë jam habitë edhe prej profesorit në fjalë, por edhe prej gazetarit në fjalë…ne jemi sqaru, ne i kemi kërku dhe po përfitoj prej rastit, tani po e ftoj për temën në fjalë, atë dhe gjithë shokët e tij që e mendojnë të njëjtën, kurrë nuk do t’ia del, kurrë!”.
Sipas Gogës, që nga viti 1900, madje edhe më herët “ në komunën e Pejës, të Gjakovës, të Istogut, të Klinës dhe të Deçanit nuk do t’ia del të na sjellë një emër të vetëm, emër të përveçëm, me datë dhe me vit dhe me xhami të veçantë, që kinse ndonjë hoxhë rus na paska qenë imam apo ka kry shërbime fetare në një territor të caktuar në një xhami. Ky është ofendim shumë i madh që zotëri Demaj po u bën familjarëve tonë, babagjyshave tonë, gjyshët tonë nuk i kemi pasë të padijshëm. Nuk kanë pas mastera dhe doktoratura, por ata kanë qenë të mençur se kjo është shumë nënçmim i madh”, ka thënë ai.
Sipas Demajt, ata hoxhollarë [rusë e nga vende të tjera] kanë pasur për qëllim që t’i lënë fëmijët në xhami dhe të mos i çojnë në shkollë.
Mirëpo, Goga ka thënë se në ato komuna nuk kishte hoxhollarë të tillë e të ardhur qoftë edhe nga Rusia.
“Nuk qëndron”, ka thënë ai.
“Paramendoni, po të themi ne se ka pas një hoxhë të vetëm rus, i cili ka shërbyer në një territor të caktuar, në një xhami të caktuar, kjo i bie që babagjyshat tonë paskan qenë aq naivë sa që në raste mortore, rusi i ka varrosë ata. Në rast të gëzimit, kur ka lindë një fëmijë, ka ardhë hoxha rus dhe ua ka ngjitë emrin, në rast të dasmave!? Kjo është e papranueshme”.
Goga ka argumentuar se në rrafshin e dukagjinit kanë shërbyer hoxhollarë të shkëlqyer, dhe me temën e ngritur nga Demaj, ai ka thënë se është marrë dhe vazhdon të merret ende.
“Unë jam marrë shumë me këtë temë dhe vazhdoj me u marrë me këtë temë..ne jemi duke tubuar evidencë me emra dhe me mbiemra për të gjithë ata hoxhallarë dhe efendilerë që kanë shërby në veçanti në komunën tonë dhe në këto pesë komuna të Dukagjinit…kemi pas emra shumë të fuqishëm sikur Hafëz Ibrahim Fehmiu, i cili këtij vendi i ka dhuru tetë intelektualë të mëdhenj. Në mesin e tyre është edhe djali i tij, artisti i njohur, Bekim Fehmiu, edhe tanimë i ndjeri një prej njohësve më të mirë të sistemit të drejtësisë, Arsim Fehmiu”.
“Asnjëherë nuk ka pas hoxhallarë rusë dhe nuk është e vërtetë që hoxhallarët kanë kontribu që një fëmijë dhe të rinjtë e të rejat tona të mos shkojnë në shkollë. I kam dy dokumente, po ju premtoj se në rastin e parë kur do t’i siguroj, do t’ju dërgoj e ju do t’i publikoni, kur në komunën e Deçanit, në fshatin Carabreg edhe në fshatin Lluk e Epërme…në fillimin e viteve të 1900 nëse s’gaboj 1930 deri 1935, një hoxhë me emër në atë botë, Jusuf Efendi Lataj, është familje e njohur, familja Lataj në Carabreg, shkon në Shkup në atë botë dhe merr leje për të rifilluar mësimin në gjuhën shqipe në mejtepin e Xhamisë së Carabregit”.
“Dokumenti është me shkronja çerlicë kur i lejohet, madje aty shkrun Jusuf Llatiq se ajo ka qenë tendenca e pushtetit. Edhe babagjyshit të babës tim, Rexhep Goga, ka qenë imam në Llukë, i njëjti ka shku në Shkup, në atë kohë ka qenë atje adresa për të marrë leje speciale, për ta rifillu mësimin në gjuhën shqipe në Llugë të Epërme… Kjo është histori e ditur, histori e njohur”, ka thënë ndër të tjera hoxhë Goga.