Enis Asani është një talent nga Kosova që ka lindur dhe është rritur në Zvicër, ku tani e pesë vite është pjesë e skuadrës së madhe zvicerane Thun.
Mesfushori i talentuar nga Kosova e ka nisur karrierën te Solothurn, derisa nga mosha 15 vjeçare është pjesë e Thunit ku ka kontratë deri në vitin 2026.
Ai ka debutuar me ekipin e parë të Thunit sezonin e kaluar, derisa këtë edicion nuk ka luajtur shumë me skuadrën e parë, përveç në ndeshjet e Kupës së Zvicrës.
Por duke parë situatën jo të mirë me minutat te Thun, Asani është vërshuar nga ofertat nga vendlindja e tij, duke përfshirë klubet e Kosovës, Shqipërisë dhe ato shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Mesfushori defensivë i gjatë 1,86 centimetra ka marrë disa oferta nga top klubet shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe qysh në janar mund të zbarkojë në futbollin shqiptar.
“Situata te Thun nuk është e mirë këtë edicion pasi nuk po kam hapësira shumë, megjithatë ende nuk kam vendosur për të ardhmen time. Më tundon që disa klube shqiptare më janë ofruar dhe kanë kërkuar transferimin tim dhe këtë po e shqyrtojë me menaxherin tim”, deklaroi Asani për Telegrafin.
Ai nuk i zbulon emrat e skuadrave pasi dëshiron të jetë korrekt me to, por thotë se ka nga tre shtetet dhe nga skuadra që janë në pjesën e epërme të tabelës.
“Kam përcjell futbollin sidomos në Kosovë dhe po e shoh që kampionati po rritet gjithmonë e më shumë, derisa shumë lojtarë janë transferuar në Evropë dhe kjo gjë po më tërheq. Gjithsesi do të bisedoj me drejtuesit dhe mund të largohem nga Thun për t’u bërë me skuadër të re”, vazhdon tutje Asani.
Ai ka oferta të ndryshme nga Challange League në Zvicër dhe në fillim të muajit janar do të vendosë, nëse do të mbetet te ndonjë skuadër tjetër në Zvicër apo do të nisë një karrierë të re në Kosovë, Shqipëri ose Maqedoni të Veriut.
20-vjeçari vitin e kaluar pranoi të luante për Kombëtaren e Shqipërisë edhe pse u kërkua nga Zvicra fillimisht.
Asani është një futbollist që dallohet për ndërprerjen e aksioneve dhe i ndërton për mrekulli ato.
Gjithsesi ajo skuadër shqiptare që do ta fitojë garën për Asanin, do të bëjë një goditje të madhe pasi do të sigurojë një talent të madh që ka të ardhme shumë të ndritur. /Telegrafi