Në seancën e ditës së martë të Kuvendit të Kosovës ku po zhvillohet diskutimi për politikën e jashtme të vendit, deputeti opozitar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se nuk kanë fare program për politikë të jashtme.
Sipas Hoxhajt, me këtë Qeveri nuk do të ketë as njohje dhe as liberalizim të vizave.
Tutje ai tha se është hap pozitiv rreshtimi i Kosovës përkrah Ukrainës, por se sipas tij nuk ka veprime konkrete në politika të jashtme që do t’i shërbenin shtetit.
“Nuk ka njohje dhe nuk pres me pas, nuk ka anëtarësime dhe nuk pres me pas as liberalizim të vizave. Është mirë që kryeministri Kurti po rreshtohet karshi Ukrainës është mirë që op mendon globalisht por s’po vepron lokalisht. Ende nuk keni apliku për NATO, e di që s’bëhet menjëherë, po deri më tash nuk ka asgjë”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj theksoi se Kosova duhet të përpiqet të marrë njohjet nga pesë vendet e Bashkimi Evropian (BE), që deri më tani nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Kjo kohë është një kohë e re, kërkon fjalor të ri politik dhe politika të reja, ndër to duhet të jetë qasja me pese vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. S’po e mendoj Greqinë edhe Spanjën, tri të tjera nuk e kanë njohur Kosovën për shkak të raporteve të tyre me Rusinë, është koha që të bëjmë përpjekje t’i marrim ato njohje”, ka deklaruar ai.
Në fund Hoxhaj, u shpreh se anëtarësimi në OKB, tashmë është i pamundur, dhe se sipas tij Kosova duhet të ripozicionohet në raport me politikën e jashtme.