Ka disa palë zgjedhje që Erden Atiq kandidon për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
Të hënën, në cilësinë e të parit të qytetit, ai ka hyrë në objektin e komunës, prej ku do ta ushtroj pozitën e synuar për shumë vite.
“Ndjenjë e mirë, përgjegjësi shumë e madhe. Mirëpo, jemi edhe të gëzuar dhe jemi optimist po na presim punë të mëdha, punë të rëndësishme për këtë pjesë të qytetit”.
Atiq, në ditën e parë të punës heziton të flas për projekte konkrete.
Mirëpo tregon se synon të bashkëpunoj e të punoj me të gjithë qytetarët, pa dallim nacionaliteti.
“Ne veçse ditën e premte e kishim takimin e parë me komunitetin serb, do të vazhdoj edhe sot edhe ditëve në vijim. I ftojmë të gjithë që të vijnë këtu dhe t’i shtrojnë brengat dhe problemet e tyre”.
Bashkë me Atiq, u pa edhe drejtoresha e parë e emëruar nga ai, Ariana Barut
Kryetari i ri, është optimist se mandatin do ta qoj deri në fund.
Këso pritshmëri, nuk ka edhe Miodrag Miliçeviq, nga shoqëria civile.
“Duke pasur në mendje kompleksitetin politik në veri, unë kam shumë dyshime nëse zotëri Atiq do të jetë kryetar për një mandat të plotë. Jo vetëm Atiq, por kushdo që do të ishte në atë pozitë, në këto rrethana nuk do ta kishte mbështetjen e serbëve lokal.
Miliçeviq thotë se është duke munguar një dialog me komunitetin serb në Kosovë.
“Unë vërtetë e kam obligim të them, jo për të mbrojtur Listën Serbe ose dikë tjetër, por duke qenë shumë i sinqertë, askush praktikisht nga serbët e Kosovës nuk morri pjesë në zgjedhje dhe ky supozohet të jetë një shqetësim i madh për qeverinë e Kosovës. Nëse pjesë të komuniteteve, si në këtë rast serbët e Kosovës në veri, refuzojnë si shumicë dhe mohojnë vendimet e qeverisë së Kosovës, atëherë ky është një shqetësim i cili duhet të trajtohet me kujdes, duke menduar modalitetet se si të forcojmë një komunikim të frytshëm”.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, akoma nuk ka caktuar datën e betimit për tre kryetarët e tjerë të komunave veriore, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut.