Pas një bisede me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, e ka telefonuar edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për të diskutuar cështjen e hapjes së korridoreve për eksportin e grurit përmes Detit të Zi.
Ky diskutim u bë i ditur nga vetë administrata e shtetit turk.
Erdogan dhe Zelensky biseduan edhe për çështjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Udhëheqësi turk tha se zgjidhja e luftës “do të jetë në çdo rast diplomatike” dhe siguroi se Ankaraja është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje, përfshirë edhe ndërmjetësimin.
Lidhur me mundësitë e korridoreve të reja të drithit, Erdogan tha se Turqia vazhdon të punojë në planin e zhvilluar nga OKB-ja për furnizimin e produkteve të grurit ukrainas në tregun botëror.
Kurse, Zelensky tha se Turqia dhe Ukraina duhet së bashku të parandalojnë eksportin e grurit ukrainas nga rusët.
Që nga fillimi i pushtimit, trupat ruse kanë bllokuar eksportet nga portet e Ukrainës, si rezultat i të cilave produktet duhet të eksportohen përmes hekurudhave apo rrugëve.
Kremlini tha se të dy liderët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin ekonomik dhe folën për një takim “ruso-turk në nivelin më të lartë” në të ardhmen e afërt. Por, nuk u dhanë detaje të tjera.