Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka thënë se grupi Hamas nuk duhet të konsiderohet si organizatë terroriste, por si një grup luftues që po kujdeset për mbrojtjen dhe çlirimin e tokave palestineze.
Turqia, si një shtet anëtar i NATO-s, ka shprehur dënimin e saj për vrasjen e civilëve nga Hamas gjatë sulmeve të datës 7 tetor në jug të Izraelit.
Megjithatë, Erdogan ka bërë thirrje për frenimin e forcave izraelite gjatë përgjigjes së tyre ndaj këtyre sulmeve dhe ka kritikuar fuqitë perëndimore për mbështetjen që i japin Izraelit në këtë kontekst.
“Hamasi nuk është organizatë terroriste, është grup çlirimtar, ‘muxhahedin’, që po zhvillon betejë për mbrojtjen e tokave dhe popullit të tij”, ka thënë Erdogan para ligjvënësve të partisë turke në pushtet AK, duke përdorur fjalën arabe “muxhahedin”, që nënkupton personat që luftojnë për besimin e tyre, raporton Reuters.
Presidenti turk ka bërë një apel për një armëpushim të menjëhershëm dhe dërgimin e ndihmave humanitare pa pengesa në Rripin e Gazës. Ai po ashtu inkurajoi shtetet myslimane të bashkohen për të ndaluar dhunën dhe masakrat në rajon.
Erdogan ka theksuar se autorët e masakrave dhe shkatërrimeve në Gazë janë ata që japin mbështetje të pakufizuar Izraelit.
“Autorët e masakrës dhe shkatërrimit që po ndodh në Gazë, janë ata që po i japin mbështetje të pakufizuar Izraelit…Sulmet e Izraelit në Gazë, si për veten, por edhe për ata që i mbështesin, përbëjnë vrasje dhe sëmundje mendore”, ka deklaruar Erdogan.
Në reagimin e Izraelit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lior Haiat, hodhi poshtë vlerësimet e Erdoganit dhe ripërsëriti që Hamas është një organizatë terroriste.
Ai ka theksuar se deklaratat e presidentit turk nuk do të ndryshojnë qëndrimin ndërkombëtar ndaj Hamasit.
Ndërkohë, reagimi ka ardhur edhe nga zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, i cili cilësoi deklaratat e Erdoganit si “të pështira” dhe të dëmshme për situatën në rajon.
Kjo situatë vjen në një moment kur Turqia po përpjeket për të përmirësuar raportet e saj me Izraelin, por Erdogan akuzoi Izraelin për shfrytëzimin e qëllimeve të mira të Turqisë dhe njoftoi se ka anuluar një vizitë të planifikuar në Izrael.
Po ashtu, Erdogan ka akuzuar Perëndimin për hipokrizi, pasi sipas tij, ka dështuar që të përgjigjet në atë që e cilësoi si “masakër të qëllimshme” të Izraelit në Gazë.