Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka uruar Kosovën për përvjetorin e 16 të pavarësisë përmes një telegrami dërguar presidentes Vjosa Osmani.
Erdogan tha se ka besimin e plotë se marrëdhëniet e shumanshme miqësore në mes të Turqisë dhe Kosovës, të cilat, sipas tij, e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet historike, ekonomike, humanitare dhe kulturore, do të vazhdojnë të zhvillohen.
“Kam besim të plotë se marrëdhëniet e shumëanshme miqësore mes Turqisë dhe Kosovës, të cilat e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet historike, ekonomike, humanitare dhe kulturore, do të vazhdojnë të zhvillohen. Marrja e komandës së KFOR-it vitin e kaluar është tregues konkret i rëndësisë që i kushtojmë paqes dhe stabilitetit si në Kosovë ashtu edhe në rajon dhe përpjekjeve tona në këtë kontekst”, thuhet ndër të tjera në urimin e Erdoganit.
Erdogani, gjithashtu, e ka njoftuar presidenten Vjosa Osmani se do të jetë pjesë e Forumit Diplomatik të Antalisë që mbahet nga 1 deri më 3 mars.
Turqia mori komandën e KFOR-it në tetor të vitit të kaluar.