Erdogan përpiqet ta “fshehë” sëmundjen në një video-lidhje me Putinin

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, mori pjesë virtualisht të enjten në një ngjarje me homologun rus, Vladimir Putin, mes shqetësimeve për shëndetin e tij. Kjo ishte paraqitja e parë publike e Erdoganit qëkur u sëmur në televizion drejtpërdrejt dhe anuloi tubimet elektorale, pasi u përpoq t'i largonte shqetësimet për shëndetin e tij, javë përpara zgjedhjeve vendimtare

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një video-lidhje për inaugurimin e një centrali bërthamor. 27 Prill 2023

Presidenti i sëmurë i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, të enjten doli sërish nga mungesa dyditore, dhe ka biseduar me një video-lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin, në një ceremoni virtuale për zbulimin e një termocentrali bërthamor të ndërtuar nga Rusia.

Udhëheqësi 69-vjeçar pezulloi të gjithë fushatën për zgjedhjet kryesore të Turqisë të 14 majit, pasi u sëmur gjatë një interviste televizive të martën në mbrëmje.

Ai dukej i dobët gjatë intervistës dhe më pas e ndërpreu atë në mes të një pyetjeje 10 minuta pas emisionit.

Erdogan ka thënë se ai kishte probleme me stomakun, derisa po lëvizte midis pesë qyteteve për mitingje dhe nisje të projekteve publike në fillim të javës.

Ministri i Shëndetësisë, Fehrettin Koca, ka thënë të enjten se Erdogan kishte “gastroenterit infektiv” – një sëmundje afatshkurtër e shkaktuar nga inflamacioni i traktit tretës.

Por, frika e detyroi Erdoganin t’i anulonte ngjarjet të mërkurën dhe më pas të qëndronte në shtëpi, në vend që të udhëtonte në brigjet e Mesdheut për hapjen madhështore të centralit të parë bërthamor të Turqisë të enjten.

Shfaqja në video përfaqësonte përpjekjen e Erdoganit për të projektuar shëndetin dhe energjinë në një nga momentet më të cenueshme të sundimit të tij dy dekadash.

Por, ai dukej i dobët dhe dukshëm i brishtë teksa i drejtohej Putinit dhe kombit nga prapa tavolinës së tij presidenciale.

“Vendi ynë është ngritur në ligën e kombeve me energji bërthamore, megjithëse pas një vonese 60-vjeçare”, ka thënë Erdogan në fjalimin e përgatitur.

”Dezinformim”

Erdogan është i njohur për dashurinë e tij për fushatën dhe përqafimin e luftimeve politike.

Sondazhet sugjerojnë ose se ai po konkurron kokë e kokë, ose humbet kundër liderit të opozitës Kemal Kilicdaroglu, në zgjedhjet më të rëndësishme të Turqisë në dekada.

Kontrolli i parlamentit i partisë së tij me rrënjë islamike, përmes një aleance me një grup të ekstremit të djathtë, është gjithashtu nën kërcënim.

Erdogan i kishte përdorur tubimet e tij për të nisur sulme të ashpra ndaj opozitës dhe për ta portretizuar veten si një njeri që e kryen punën, raporton AFP.

Ai imazh është tronditur – dhe zyra e tij po lufton.

Drejtori i fuqishëm i medias i presidentit, Fahrettin Altun, postoi pamje nga ekrani në Twitter të mediave shtetërore kineze dhe disa llogarive të njohura që spekulonin se gjendja e Erdoganit është më e rëndë sesa raportohet zyrtarisht.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht pretendime të tilla të pabaza në lidhje me shëndetin e presidentit Erdogan”, ka shkruar Altun.

“Asnjë sasi e dezinformatave nuk mund të kundërshtojë faktin se populli turk qëndron me liderin e tij dhe Erdogan dhe Partia e tij AK janë të vendosur t’i fitojnë zgjedhjet e 14 majit”.

 Sekret i ruajtur

Thashethemet për shëndetin e Erdoganit kanë qarkulluar qëkur ai iu nënshtrua dy operacioneve gastrointestinale në vitin 2011 dhe 2012.

Operacionet e lanë atë me një pengesë të lehtë në ecjen e tij që duket se ka ushqyer disa nga spekulimet e mediave sociale.

Turqia nuk publikon rezultatet e vlerësimeve shëndetësore të udhëheqësve të saj dhe është e paligjshme ta “fyesh presidentin”.

Mijëra njerëz janë ndjekur penalisht për këtë vepër – të dënueshme me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.

Udhëheqësit kryesorë të opozitës turke, të gjithë, postuan shpejt mesazhe në Twitter, duke i uruar Erdogan-it një shërim të shpejtë.

Lidhja video e Erdoganit me Putinin zbuloi një projekt që Rusia filloi ta ndërtonte gjatë një ftohjeje në marrëdhëniet e Ankarasë me aleatët e saj perëndimorë më 2018.

Ndërtimi i uzinës Akkuyu u ndërlikua nga sanksionet që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

“Po, ne kemi disa probleme logjistike,” u ka thënë gazetarëve drejtori i uzinës, Akkuyu Sergei Butskikh, në prag të nisjes.

“Rrugët e transportit po bëhen më të gjata. Jo të gjitha kompanitë e transportit detar janë në gjendje të punojnë me ne. Kështu që, këtu po, ne i ndjejmë sanksionet”, ka shtuar ai.

Por, kjo nuk ka ndikuar në cilësinë e ndërtimit të uzinës”.

Erdogan ka qenë një nga liderët e paktë botërorë që ka mbajtur marrëdhënie të mira me Putinin duke refuzuar të nënshkruajë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe duke u përpjekur ta ndërmjetësojë përfundimin e luftës.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika