Turqia po vazhdon përpjekjet për zbutjen e tensioneve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan.
Pas një takimi të kabinetit të mbajtur në Ankara, Erdogan ka thënë se Turqia gjithashtu ka vazhduar përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në Bosnje e Hercegovinë.
“Ne vazhduam përpjekjet tona për të zgjidhur bllokimin politik në Bosnje e Hercegovinë dhe për të lehtësuar tensionin në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Erdogan, shkruan Anadolu.
Për 20 ditë me radhë, në dhjetorin e vitit 2022, grupe të serbëve lokalë kishin bllokuar rrugët në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve, dyshohet për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Por, vendimi i autoriteteve gjyqësore në Kosovë më 28 dhjetor për t’ia ndërruar Pantiqit masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak, i hapi rrugë heqjes së barrikadave.
Pas kësaj, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë deklaruan se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave ishin plotësuar.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011. Negociatat mbështeten edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Procesi i dialogut është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Por, palët kanë dallime edhe sa i përket përfundimit të dialogut.
Kosova kërkon që një marrëveshje eventuale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia është shprehur se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.