Presidenti turk është shprehur para anëtarëve të parlamentit të partisë së tij në Ankara se, pret që vendet anëtare të NATO-s t’i kuptojnë çështjet e sigurisë së Turqisë në lidhje me ofertat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në Nato.
Pritjet e tij janë mirëkuptimi, respekti dhe mbështetja. Sipas tij asnjë aleat nuk ka treguar respekt ndaj ndjeshmërisë së tyre.
“Ne presim që aleatët tanë të kuptojnë, respektojnë dhe mbështesin ndjeshmërinë tonë. Ne kemi një ndjeshmëri për të mbrojtur kufijtë tanë kundër terrorizmit. Asnjë nga aleatët tanë nuk tregoi respekt ndaj kësaj ndjeshmërie siç prisnim”, ka thënë Presidenti turk, transmeton CNN.
I pari i Turqisë ka thënë javën e kaluar se aplikimet e Suedisë dhe Finlandës në NATO nuk i sheh si diçka “pozitive”, dhe nuk do ta mbështeste këtë çështje nëse sanksionohet Turqia.
Sipas Erdogan, anëtarësimi në NATO nga shtetet tjera mund të ketë kuptim për shtetin turk, në rast se ka mbështetje për vendin e tyre.
“Zgjerimi i NATO-s ka kuptim për ne vetëm në masën që respektohen ndjeshmëritë tona. Të kërkosh prej nesh mbështetje për anëtarësimin në NATO, ndërkohë që ofroni çdo lloj mbështetje për organizatën terroriste PKK/YPG, për të mos thënë më së paku është inkoherencë”, ka thënë Erdogan.
Presidenti turk ka akuzuar Finlandën dhe Suedinë që strehojnë anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, militantë separistë dhe janë mbështetës të klerikut me bazë në ShBA, Fetullah Gulen, ku shteti turk e akuzon këtë të fundit si organizator i një përpjekjeje për grusht-shtet në vitin 2016, por Gulen e mohon.
Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e cilësojnë PKK-në si organizatë terroriste.
“Suedia nuk ka ekstraduar 30 persona të cilët Turqia i sheh të lidhur me terrorizmin”, ka shtuar Erdogan.
“Ju nuk do të na dorëzoni terroristët, por do të kërkoni që t’ju mbështesim për t’u anëtarësuar në NATO. Nuk mund të themi ‘po’ që kjo organizatë e sigurisë të privohet nga siguria”, ka thënë ai.
“Ata donin të vinin të hënën. Mos u mërzitni, nuk ka nevojë”, ka shtuar ai për delegacionin e lartë diplomatik që pritej të vinte në bisedime për këtë çështje.