Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Kështu ka njoftuar zëdhënësi i presidentit turk, İbrahim Kalın, i cili ka thënë “presidenti ynë do të ketë një bisedë telefonike me presidentin e SHBA, Joe Biden, këtë mbrëmje”, raporton HT.
Bashkëbisedimi i presidentit Erdogan me homologun e tij amerikan vjen pas triumfit të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në Turqi, sipas rezultateve ende jozyrtare. Pasi rezultatet preliminare të zgjedhjeve u bënë të qarta në masë të madhe, nisën të vinin mesazhe urimi nga liderët botërorë për presidentin Erdogan.
Po ashtu, zëdhënësi i presidentit turk, Kalın në një program televiziv ku mori pjesë, ka deklaruar se presidenti Biden dhe presidenti Erdogan do të kenë një bisedë telefonike mbrëmjen e së hënës.
Erdogan ka mandat për të qeverisur deri në vitin 2028, pasi siguroi edhe pesë vjet të tjera si udhëheqës i vendit që luan një rol kyç në NATO.
Tani, ai duhet të përballet me inflacionin në rritje dhe ta rindërtojë një pjesë të vendit të shkatërruar nga tërmeti që vrau më shumë se 50 mijë njerëz.
Erdogan i siguroi më shumë se 52 për qind të votave në balotazhin presidencial të 28 majit, dy javë pasi nuk arriti t’i fitonte zgjedhjet në rundin e parë. Erdogan falënderoi votuesit që ia besuan sërish presidencën e vendit në dy fjalimet që i mbajti në Stamboll dhe Ankara.
“Fituesi i vetëm sot është Turqia”, tha Erdogan jashtë pallatit presidencial në Ankara, duke premtuar se do të punojë shumë gjatë shekullit të dytë të Turqisë, që ai e quajti “shekulli turk”. Turqia shënon njëqindvjetorin këtë vit.
Më pas, mbështetësit e Erdoganit dolën në rrugë për të festuar, duke i valëvitur flamujt e Turqisë ose të partisë në pushtet dhe duke brohoritur emrin e Erdoganit.
Turqia ka në duar shpresat e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, gjë që anëtarët e tjerë të aleancës e kanë kërkuar për ta forcuar partneritetin kundër Rusisë.
Turqia ka gjithashtu rol kyç në vazhdimin e marrëveshjes për t’i lejuar transportet e grurit nga Ukraina dhe për ta shmangur një krizë globale ushqimore.
Në fjalimin e tij pas fitores, Erdogan ka thënë se rindërtimi i qyteteve të shkatërruara nga tërmeti do të jetë prioritet i tij, raporton REL.
Ai, gjithashtu, ka thënë se një milion refugjatë sirianë do të kthehen në “zonat e sigurta” të kontrolluara nga Turqia në Siri, si pjesë e një projekti zhvendosjeje që po planifikohet bashkë me Katarin.
Në këto zgjedhje, Erdogan pati mbështetjen e votuesve konservatorë. Gjatë fjalimit të tij, Erdogan ka deklaruar se pjesëtarët e komunitetit LGBTI+ nuk mund ta “infiltrojnë” partinë e tij ose aleatët e saj.
Erdogan po kryen tani mandatin e tij të dytë si president nën presidencën ekzekutive. Ai mund të kandidojë sërish për një mandat tjetër nëse Parlamenti – ku partia e tij dhe aleatët e saj e kanë shumicën – shpall zgjedhje të parakohshme.