Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të vizitës në qytetin e Kahramanmaras, është takuar me të mbijetuarit nga tërmeti.
Kahramanmaras ishte epiqendra e tërmetit të dytë që goditi Turqinë të hënën, dhe ndodhet vetëm rreth 40 milje në veri të epiqendrës së të parit, shkruan BBC.
Erdogan pranoi se kishte pasur probleme me reagimin fillestar të shtetit ndaj tërmetit, por këmbënguli se situata ishte “nën kontroll”.
Në qytetin Kahramanmaras, Erdogan ka mbajtur një konferencë të drejtpërdrejtë për media, ku ka njoftuar se për familjet e prekura nga tërmeti do të jepet ndihma financiare prej 10 mijë lirash.
“Bashkë me vlerësimin e dëmeve do të japim mbështetjen tonë specifike për familjet. Ne kemi ndarë një buxhet të caktuar nga Ministria e Financave. Me vlerësimet e dëmeve ne kemi planifikuar shifrën 10 mijë, që do të lehtësojë çdo familje gjatë këtij procesi. Këtyre familjeve si qeveri do t’u dorëzojmë nga 10 mijë lira”, ka deklaruar ai.
Shumë qytetarë kanë shprehur zemërim nga mungesa e dukshme e reagimit të qeverisë, duke u vonuar në ndihma ndaj personave të ngujuar.
Ai ka njoftuar edhe se kanë zhvilluar bisedime me hotele në vende si Antalia, Alania dhe Mersin, për t’i strehuar banorët.
“Ne jemi të gatshëm t’i vendosim qytetarët tanë në hotelet e këtyre provincave nëse dikush shfaq dëshirën për të qëndruar në hotelet këtu. Tani kemi arritur një kapacitet shumë serioz. Ata mund të mos jenë të kënaqur me çadrat. Nëse ata thonë po për t’u vendosur në hotele, ne do të mobilizojmë duke i vendosur ata atje”, ka thënë Erdogan.
Ndërkaq, sipas tij, ka pasur një problem në aeroporte dhe në rrugë, e po ashtu, ai ka thënë se kanë probleme të vogla me karburant.