Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të tentojë të lehtësojë ratifikimin parlamentar për anëtarësim të Suedisë në NATO, aq sa të ketë mundësi, mirëpo ka shtuar se Stokholmi ende nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm ndaj militantëve kurdë.
Erdogan e ka dërguar kërkesën për ratifikim në parlament një muaj më parë, veprim që është mirëpritur nga aleanca dhe Stokholmi.
Turqia fillimisht ka hezituar të ratifikojë anëtarësimin për shkak të pretendimeve se Suedia është duke strehuar grupe që Ankaraja i konsideron terroriste.
Duke folur para gazetarëve, Erdogan ka thënë se Stokholmi i ka marrë disa hapa sa u përket protestave të organizuara nga Partia Popullore e Kurdistanit (PKK) dhe është e shqetësuar embargon për armët ndaj Turqisë, por që nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm kundër aktiviteteve të PKK-së në Suedi.
“Detyra jonë e parë ka qenë që ta dërgojmë këtë vendim në parlament, e kemi bërë këtë”, është cituar të ketë thënë Erdogan, shkruan Rel.
Ai ka thënë se prioritet për diskutim parlamentar ka buxheti i Turqisë për vitin 2024, duke lënë të nënkuptohet se ratifikimi i anëtarësimittë Suedisë mund të mos ndodhë shpejt.
“Por, ne do të tentojmë të lehtësojmë punën sa më shumë që është e mundshme. Ne do të tentojmë të bëjmë përpjekje aq sa të mundemi, ashtu që të kemi qasje pozitive ndaj homologëve”.
Ratifikimi duhet të miratohet fillimisht nga Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit turk, para se të votohet para Asamblesë së Përgjithshme.
Më vonë, Erdogan mund ta nënshkruajë vendimin.
Suedia dhe Finlanda kanë hequr dorë prej neutralitetit dhe kanë aplikuar për t’u anëtarësuar në NATO vitin e kaluar, me qëllim të rritjes së sigurisë, pas nisjes së luftë së Rusisë në Ukrainë.
Finlanda është anëtarësuar në prill në NATO, ndërsa synimi i Suedisë është bllokuar nga Turqia dhe Hungaria.