Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar se vendi është i gatshëm t’i ofrojë mbështetje Serbisë dhe Kosovës për tejkalimin e sfidave, dhe se shpreson që të ketë një përshpejtim pozitiv të zgjidhjes së problemit, i cili do të jetë i qëndrueshëm në Ballkan, sepse Ballkani “nuk mund ta tolerojë më këtë lloj problemi”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas bisedimeve me presidentin turk Erdogan në Beograd, ka thënë se ka interesim të madh për të blerë dronin “Bajraktar”, por sipas tij e gjithë bota dëshiron ta blejë, dhe Serbia duhet të futemi në radhë.
Ai ka shtuar se Serbia është e gatshme të paguajë “më shumë”.
Nga Serbia në Turqi vetëm me letërnjoftim
Erdogan ka thënë se protokolli i nënshkruar për udhëtimet duke përdorur vetëm karta identiteti midis Turqisë dhe Serbisë do të përmirësojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Bisedimet ishin shumë të frytshme, ne i kemi prekur të gjitha çështjet në detaje dhe kemi biseduar për zgjidhjet e mundshme, kemi shkëmbyer mendime. Marrëdhëniet tona me Serbinë, të cilat janë në një nivel të shkëlqyer, vazhdojnë të zhvillohen”, ka thënë Erdogan pas takimit në kuadër të një vizite tre-ditore në rajon.
Po ashtu, ai ka thënë se është jashtëzakonisht i kënaqur që mes Beogradit dhe Prishtinës është arritur një marrëveshje për kartat e identitetit, dhe se shpreson që së shpejti të arrihet një marrëveshje edhe për targat, raporton N1, transmeton Dukagjini.
“Ne gjithmonë kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”, ka deklaruar Erdogan.
Ndërsa, i pyetur se kë e sheh si fajtorin kryesor për krizën në Ukrainë, Erdogan ka thënë në një konferencë për shtyp së bashku me presidentin serb se Turqia gjithmonë ka ndjekur një politikë ekuilibri midis Rusisë dhe Ukrainës, të cilën synon ta vazhdojë.
Ai ka shtuar se në një luftë të tillë nuk mund të ketë fitues, por mund të ketë shumë humbës dhe se nuk e sheh atë të përfundojë shpejt.
“Njerëzit humbin jetën, por duhet të përmend edhe humbjet financiare gjatë luftërave të tilla”, ka deklaruar ai, duke shtuar se edhe investimi financiar në armë është humbje ekonomike dhe se nuk mund të arrihen rezultate.
Erdogan paralajmëroi se Putini nuk duhet nënvlerësuar sepse çmimet në Evropë u rritën pasi Rusia ndaloi furnizimin me gaz natyror.
“Të gjithë po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të mbijetuar këtë dimër”, ka deklaruar presidenti turk.
Vuçiç, nga ana e tij, përshëndeti investimet turke, duke thënë se të dy vendet synojnë të rrisin vëllimin e tregtisë dypalëshe në 2.5 miliardë dollarë.
Serbia dhe Kosova ranë dakord në fund të muajit të kaluar për një marrëveshje të re kufitare, nën një proces dialogu të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Tensionet po rriteshin në rajon lidhur me planet e Kosovës për ta bërë të detyrueshme për të gjithë, përfshirë serbët që jetojnë në veri, të kenë një letërnjoftim të Kosovës dhe targa për vetura.
Lufta e Ukrainës
Një temë tjetër e përmendur nga Erdogan ishte lufta në Ukrainë dhe ndikimet e saj në Evropë. Erdogan ka thënë se nuk e sheh të drejtë qëndrimin e Perëndimit, duke shtuar se ata po ndjekin një “politikë provokimi” ndaj Rusisë, raporton Daily Sabah.
“Mund të them qartë se nuk më duket i drejtë qëndrimi i Perëndimit (ndaj Rusisë). Sepse ekziston një Perëndim që ndjek një politikë të bazuar në provokim”, ka thënë Erdogan.
Erdogan ka shtuar se nuk duket që lufta Rusi-Ukrainë do të përfundojë “shumë shpejt”, duke shtuar: “Unë u them atyre që nënvlerësojnë Rusinë, ju po e bëni gabim. Rusia nuk është një vend që mund të nënvlerësohet.”
Erdogan u prit me një ceremoni zyrtare në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në fazën e dytë të turneut të tij ballkanik në tre vende.
Të dy krerët zhvilluan bisedime dypalëshe dhe takime ndërmjet delegacioneve, të ndjekura nga një konferencë e përbashkët shtypi.
Gjatë bisedimeve u shqyrtuan të gjitha aspektet e marrëdhënieve dypalëshe dhe u diskutuan hapat për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në agjendë ishin edhe zhvillimet në Ballkan dhe çështjet ndërkombëtare.