E mërkura e muzikës live në Radio Dukagjini solli një artist që karriera e tij po merr hov pas paraqitjes në Festivalin e Këngës.
I ftuar në emisionin “Super Trend” me Drilona Shalën ishte artisti i ri, Ermal Demiri, i cili përformoi disa këngë të bukura shqipe, në shoqërim të kitarës.
Artisti i ri, Ermal Demiri ishte pjesë e Festivalit të Këngës në RTK, me këngën merri, për të cilën ai thotë se është punuar disa muaj, dhe se rezultati ka qenë i kënaqshëm. Sa i përket festivalit, Demiri deklaroi se është ndarë shumë i kënaqur me eksperiencën, duke e cilësuar një organizim madhështor dhe me profesionalizëm të lartë, duke e cilësuar një nga festivalet më të veçantë nga ata që ka marrë pjesë. Përformancën në një skenë aq të madhe e quajti një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Demiri deklaroi se edhe artistët më me përvojë i kanë pritur mirë, duke iu dhënë edhe këshilla, të cilat thotë se i ka ndjekur.
E pjesëmarrja në këtë festival thotë se i hapi dyer edhe karrierës së tij, duke theksuar se disa studio e kanë kontaktuar, dhe se është duke punuar në disa projekte të reja.
E një fakt shumë interesant që artisti e bëri të ditur ekskluzivisht në Radio Dukagjini, është se menjëherë pas festivalit i ka ardhur ftesa për ta përfaqësuar Kosovën në një festival ndërkombëtar që mbahet në Maqedoninë e Veriut në muajin janar. Tani deklaroi se është duke e përgatitur këngën për këtë festival.