Ndonëse ka mbetur edhe një javë kohë deri më një shtator, kur Qeveria e Kosovës do të nisë zbatimin e vendimeve për riregjistrim të automjeteve me targa serbe në RKS dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë, tashmë veçse kanë filluar vizitat ndërkombëtare në Kosovë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Për shkak të situatës së krijuar, përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron në Kosovë.
Kësaj vizite i është bashkuar edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç është konfirmuar për RTV Dukagjinin, nga zyrtarja e shtypit për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga BE, Paloma Hall Caballero, qëllim i tyre është që të bisedojnë me palët për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme, përpara një shtatorit.
Në përpjekje që të shmangen tensionet e reja midis dy vendeve fqinje, të mërkurën e 24 gushtit, do të zhvillohen takime të rëndësishme të dy emisarëve me liderët e shtetit.
Lajçak, në kuadër të kësaj vizite do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ky takim do të zhvillohet rreth orës 14:00.
Pos presidentes, Lajçak do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, dhe liderët e partive opozitare.
Siç ka njoftuar zyra e kryeministrisë, Escobar dhe Lajçak në orën 14:00 do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kurse në orën 15:00 me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftim.
Dyshja do të takohet edhe me liderët e partive opozitare në orën 16:00.
Pas këtyre takimeve, të enjten dy emisarët pritet të vizitojnë edhe pjesën veriore të vendit.