Escobar e cilëson “propozim serioz” draft-statutin e Ramës për Asociacionin

Emisari amerikan, Gabriel Escobar ka thënë se është e rëndësishme që "Kosova të nisë menjëherë dhe urgjentisht bisedimet për themelimin e Asociacionit” teksa e ka cilësuar si “propozim serioz” draft-statutin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gabriel Escobar, në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Washington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se ShBA-ja përkrah një asociacion që nuk shkakton probleme në funksionimin e shtetit.

“Themelimi i tij është obligim ndërkombëtar i Kosovës, që duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës. ShBA përkrah një Asociacion që nuk shkakton probleme në funksionimin e shtetit”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që “Kosova të nisë menjëherë dhe urgjentisht bisedimet për themelimin e Asociacionit” teksa e ka cilësuar si “propozim serioz” draft-statutin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Asociacionin.

Ndërsa i pyetur se cila është mënyra për të ecur përpara të dyja palët, Escobar ka thënë se është e rëndësishme që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve të zbatohet.

“Është e rëndësishme që të ketë zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve të arritur në shkurt në Bruksel dhe më pas Aneksi për zbatimin e saj në mars në Ohër,  përmes së cilit Serbia duhet të flasë si ta zbatojë pjesën e vet, njohjen e flamurit të Kosovës, simboleve kombëtare, dokumenteve zyrtare, përfshirë njohjen e nevojës së Kosovës për t’u integruar në BE”, ka theksuar Escobar.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u kidnapuar nga forcat serbe.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar lirimin e tre policëve, pa kushte.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika