I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit i arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje historike që i paraprin normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.
Escobar, një intervistë në emisionin “Top Story” në Top Channel, është shprehur se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ndaj sipas tij kjo është edhe një ndër arsyet e vizitës së tij në Tiranë.
“Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim”, ka deklaruar Escobar.
Ai ka shtuar se ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Evropian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, është mbështetur pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit.
“Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar”, ka deklaruar Escobar.
Ndër të tjera, Escobar ka mbështetur edhe nismën e Ballkanit të Hapur, një iniciativë që është kundërshtuar deri më tani nga Kosova dhe Mali i Zi.
“Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur, mbështesim përpjekjet tuaja për t’u integruar më pranë fqinjëve tuaj dhe në Bashkimin Evropian. Ne vërejmë shumë gjëra pozitive. Tani, ka ende gjëra që mund të bëni që do të ndihmonin në përmirësimin e klimës së investimeve, veçanërisht në lidhje me gjykatat tregtare dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por tani për tani, marrëdhënia, marrëdhënia tregtare është vërtet në rrugën e duhur dhe ne shohim gjëra të rëndësishme që po ndodhin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, ka thënë Escobar.
Gjithashtu, Escobar ka deklaruar se marrëdhënia tregtare tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po lulëzon dhe po rritet në mënyrë domethënëse çdo vit.
“Mendoj se tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po lulëzon. Ajo po rritet në mënyrë domethënëse çdo vit. Mendoj se eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara janë trefishuar vitin e fundit. Trefishuar. Dhe investimet amerikane në rajon, veçanërisht në sektorin e energjisë, janë rritur ndjeshëm”, është shprehur Escobar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë pajtuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve më 27 shkurt dhe për planin e zbatimit më 18 mars.
Ndonëse ato nuk i kanë nënshkruar dokumentet, BE-ja kishte thënë se marrëveshjet janë ligjërisht obliguese.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.