Prej kohësh është thënë se komunikimi i spektrit ndërkombëtarë me kryeministrin Albin Kurti është i zbehtë.
Por që kjo është e vërtetë, e ka konfirmuar një nga zyrtarët më të lartë të administratës amerikane. Në një “brifing” me gazetarë i dërguari i ShBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, madje ka akuzuar kryeministrin kosovar, Albin Kurti që probleme në komunikim diplomatik nuk ka vetëm me ShBA-në edhe me shtetet tjera partnere përfshirë edhe NATO-në.
“Partneriteti mes SHBA-së dhe qytetarëve nuk shkon përmes një njeriu apo partie, por do të thosha se tani kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Ky nuk është problem që kanë vetëm SHBA-të, ka edhe BE-ja, NATO-ja, Britania e Madhe, dhe shtete tjera si Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Duam kthimin e marrëdhënieve në binarët që kanë qenë më parë”, ka thënë Gabriel Escobar, Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Emisari amerikan ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi është në fazë kritike, teksa e ka cilësuar “katastrofal” vendimin e Kosovës për dinarin serb.
“Do të thosha po. Më duhet të them se jemi të angazhuar që t’u kthehemi marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Nuk ka alternativë dialogu i lehtësuar nga Brukseli, ai ka qenë mekanizmi për zgjidhjen e shumë çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tejkalimin e dallimeve. U kërkoj palëve që të respektojnë të gjitha marrëveshjet posaçërisht aneksin e Ohrit, të dëshmojnë përkushtim. Kjo është një nga arsyet kryesore pse e vizitoj rajonin”, shtoi Escobar.
Zyrtari amerikan, që pritet këto ditë qëndrimet t’ua bëjë të qartë edhe zyrtarëve shtetëror kosovarë, për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës ka thënë se SHBA-ja e vë në diskutim mënyrën e zbatimit të vendimit. Sipas tij, Qeveria nuk ka ofruar as alternativa për pagesë.
“Kemi dëgjuar shumë raporte për vështirësitë që qytetarët e Kosovës në veri po përballen dhe i bëjmë thirrje Qeverisë që t’i marrë parasysh shqetësimet e ndërkombëtarëve për mënyrën si po i trajton komunitetet. Arsyet pse e kundërshtojmë: Shpejtësia e zbatimit, nuk po diskutojmë në legalitetin e vendimit por zbatimin e tij. E dyta, Qeveria nuk ofroi alternativ si t’i pranojnë pagesat dhe këta njerëz u privuan nga to. Nuk ka pasur shtrirje. E fundit, dy javë para njoftimit të vendimit, Kosova u pajtua në Shkup me vendet tjera për pagesat elektronike dhe sikur të pritej kjo çështje do të zgjidhej. Duhet që Qeveria të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje për këtë vendim katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës”, është shprehur ai.
Në këtë takim online me gazetarët, Escobar ka folur edhe për çështjen e Asociacionit ku ka thënë se nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje definitive por që sipas tij, ka pasur interesim për të diskutuar tutje.